A duhet të na zemërojë rrëzimi i ‘Shqiponjës’?

Shqipëria

A duhet të na zemërojë rrëzimi i ‘Shqiponjës’?

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 21:08
Foto

Të shtunën në mëngjes, ‘Shqiponja’ ishte zhdukur. Bëhet fjalë për simbolin në hyrje të Tiranës. Diçka e tillë ishte paralajmëruar që në vitin 2016, kur artisti-kryeministër Edi Rama e pati bërë një vlerësim për këtë punim.

Dukej se ‘Shqiponja’ nuk do e kishte të gjatë, megjithatë ajo që pasoi ishte një shpërthim nëpër rrjetet sociale e më vonë në kampet politike.

Opozita, e cila e ngriti këtë simbol me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është e irrituar me këtë veprim. Sipas tyre, kjo, së bashku me prishjen e banesave për ndërtimin e Unazës së Madhe, është tregues korrupsioni.

Të tjerë komentues janë më të drejtpërdrejt, pasi mendojnë se është përdhosur një simbol kombëtar i rëndësishëm. Shqetësimi i tyre nuk është estetik, por etik. Ka nga ata që thonë se kjo qeveri nuk po pyet askënd në veprimet e saj.

Kurse kryeministri mbrohet sërish duke thënë se ishte një punim horror. Fotoja që postoi ai, me shqiponjën që po shembej, pikërisht një mesazh-tweet pasi ishte treguar nacionalist me çështjet e Bularatit, linte shije të hidhur tek njerëzit. Rama këmbëngul se është një vulgaritet si një hyrje në kazino. Por a nuk është bërë e tillë edhe hyrja tek kryeministria, pyet ish-ministri i tij, Ylli Manjani.

Tani ‘Shqiponja’ nuk është dhe nuk do jetë më. Mes tyre ka edhe nga ata që thonë se nuk ishte ndonjë vepër e bukur. Dhurata e një biznesmeni shqiptar të Maqedonisë nuk dihet ku do përfundojë. Por fakt është se qeveria do e ketë më të lehtë që të ketë opinionin në krahun e saj.

Tek e fundit, punimet për të zgjeruar një aks dhe një hapësirë që është kthyer në makthin e shoferëve, do jetë shumë më e rëndësishme për njerëzit.

Banorët e shtëpive që do prishen, e ndjejnë këtë kur e shohin se protestën e tyre radikale nuk po e përkrahin qytetarët, pavarësisht se çdo ditë ata u bëjnë thirrje për ndihmë. ‘Do u vijë edhe ju një ditë një gjëmë e tillë,’ paralajmëronte një prej protestueseve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat