Ulen tensionet: Lleshaj drejt dekretimit?

Shqipëria

Ulen tensionet: Lleshaj drejt dekretimit?

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 10:01
Ilir Meta dhe Edi Rama

Dekretimi ose jo i Sandër Lleshajt pritet të zbardhet gjatë ditës së sotme ku institucionet e Kryeministrisë, Parlamentit dhe Ministrisë së Mbrojtjes do i dërgojnë “informacion sqarues” kreut të shtetit. Dialogu institucional i hap rrugë zgjidhjes së ngërçit. Rama nuk ndalet, dërgon në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nëse Presidenti ka ose jo të drejtë të mos dekretojë një ministër.

Presidenti Ilir Meta ka në tavolinë sërish emrin e gjeneral Sandër Lleshajt, atë që një javë më parë refuzoi ta dekretonte për ministër të Brendshëm. Personazhet janë po ata, por situata ka ndryshuar, teksa palët kanë ulur tonet dhe po shkojnë drejt një zgjidhje të mundshme, që në këtë rast mund të jetë dekret i presidentit për të emëruar Sandër Lleshajn në postin ministror. Dita e sotme pritet të jetë e ngjeshur për “postierën” e kryeministrisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Parlamentit, që do të dërgojnë shkresat zyrtare për Sandër Lleshajn drejt presidencës. Krahas informacionit që Kryeministri Edi Rama do t’i japë Presidentit Ilir Meta në lidhje me Sandër Lleshajn, mazhoranca vendosi që po ditën e sotme t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar që të interpretojë nëse Kreu i Shtetit ka të drejtë të mos dekretojë një ministër. Po përse ky “presion” kur vetë palët në konflikt, veçanërisht president-kryeministër po uleshin për një zgjidhje? Burime brenda Partisë Socialiste shprehen se kërkesa për interpretimin e Kushtetutës është e nevojshme që të shmangen precedentët me presidentët e tjerë, pasi, siç tha Rama: “Me Ilir Metën është i bindur se do të kuptohen”. Një çështje kaq specifike është interpretuar që në fillim nga kryeministri si “lojë shahu” dhe në këtë mënyrë ka bërë lëvizjen e radhës duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, por me gjasë do të dojë disa muaj të presë pa e kapur kush me dorë. Aktualisht Gjykata Kushtetuese është institucion inekzistent për sa i përket vendimmarrjes pasi ka mbetur me dy anëtarë për shkak se shumica nga anëtarët e saj nuk kaluan vettingun, por edhe dhanë dorëheqje para se të kalonin në këtë proces.

Shkresa për “spaletat” e gjeneralit…

Edhe pse presidenca nuk ka zbardhur motivet se përse presidenti Ilir Meta nuk e dekretoi Sandër Lleshajn që në momentin e parë kur i mbërriti propozimi nga kryeministri, duket se çështja për të është më shumë procedurale. Në vitin 2013 Sandër Lleshaj u shkarkua nga posti zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me propozim të ministrit të saj kohe Arben Imami dhe me dekret shkarkimi nga ish-presidenti Bujar Nishani. Për Lleshajn nisi beteja ligjore që e konsideroi të padrejtë shkarkimin e gjithashtu kërkonte “rikthim në detyrë dhe pagat e prapambetura”. Gjykata, me vendim të formës së prerë pranoi kërkesën e gjeneralit. Në mënyrë formave Sandër Lleshaj konsiderohet “gjeneral aktiv”, duke përfituar edhe pagat si pasojë e shkarkimit të padrejtë, por në postin e ministrit nuk mund të vendoset një ushtarak “aktiv”. Do të jetë Ministria e Mbrojtjes ajo që në mënyrë zyrtare do nisë dokumentacionin drejt presidencës për të vërtetuar se Lleshaj nuk është në detyrë, ndaj sipas saj nuk ka vend për interpretime të tjera. Kjo është edhe pjesa ku kryeministria shprehet se: “do i dërgojmë presidentit zyrtarisht të gjithë dokumentacionet dhe informacionet në mënyrë shteruese”. Në favor të kandidaturës së Lleshajt duket se kanë shkuar edhe disa deklarime nga ndërkombëtarët, që kanë vlerësuar figurën e gjeneralit që sipas tyre ka një CV të pasur e të pastër. Aludimet për refuzimin dhe “mosbindjen” që pati Meta për figurën e Lleshajt, mund të sheshohen nga dita e sotme dhe në vijim, deri në momentin kur kreu i shtetit do të duhet të shprehet zyrtarisht me dekretimin ose jo të tij. Ligjërisht edhe Meta ka vepruar drejt në këtë rast, pasi edhe pse nuk e dekretoi Lleshajn ai dërgoi një letër informuese dhe kërkesë për më shumë të dhëna rreth disa problemeve që kishte konstatuar gjatë shqyrtimit të kandidaturës. Me mbërritjen e informacioneve nga tre institucione, për më shumë përfshirjen edhe të Parlamentit mund ta bëjë fakt të kryer hedhjes e firmës për dekretim, duke i dhënë fund një përplasje të pastër Rama-Meta. Nëse Meta dekreton Lleshajn brenda afatit ligjor të kësaj të premte, atëherë kjo mund të konsiderohet një paqe e përkohshme. Gjithsesi Rama, i bindur se Kushtetuta nuk ia jep të drejtën kreut të shtetit të kthejë pas kandidaturën e propozuar për ministër, i kërkon ndihmë Gjykatës Kushtetuese. Në lidhje me përplasjen presidencë-qeveri reagoi pak ditë më parë edhe Ambasada Amerikane që ndonëse nuk iu referua rastit, sugjeroi që të gjendet zgjidhje në mënyrë që të ketë një ministri funksionale dhe me kompetenca të plotë, si garant në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Moisiu: Meta do i thotë “PO” Lleshajt…

Çështja e dekretimit të gjeneral Sandër Lleshajt, si ministër i Brendshëm, shihet pozitivisht nga paraardhësi i Metës në presidencë. Ish-presidenti Alfred Moisiu, në një prononcim për gazetarët nga qyteti i Korçës, aty ku ishte i pranishëm në një aktivitet, ka thënë se kësaj here, Meta do t’i thotë “Po” Sandër Lleshit në këtë detyrë. “Mendoj që kësaj here presidenti ka pasur kohë për ta verifikuar. Ka pasur kohë për të reflektuar mbi të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur”, -tha Moisiu. Sipas Moisut, Presidenti do ta kalojë këtë dekret. “Mendoj që kësaj here presidenti ka pasur kohë për ta verifikuar. Ka pasur kohë për të reflektuar mbi të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur. Unë e kam deklaruar edhe më herët se presidenti nuk është noter, por këto probleme zgjidhen me diskutime, mes presidentit dhe kryeministrit. Kushtetuta i jep të drejtë Presidentit të shqyrtojë”-deklaroi Mosiu. Ai dha shembull rastin e tij të ngjashëm me dy ish-kryeministrat Berisha dhe Nano, ku për tre ministra kishte shprehur rezerva, por pas bisedës me kryeministrat i kishte dekretuar. “Përgjegjësia politike në fund të fundit është e kryeministrit. Presidenti ka një detyrim të lartë kushtetues të jetë përfaqësues i unitetit kombëtar, unitet do të thotë të mos krijosh kriza, por dhe kur krijohen t’i zbusësh, e jo t’i ngacmosh”-përfundoi Mosiu. Ndërkohë edhe ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani që vjen nga radhët e LSI-së i ka “sugjeruar” Metës që të dekretojë Lleshajn, por më parë të verifikojë dokumentacionet që do të mbërrijnë nga kryeministria, Ministria e Mbrojtjes apo edhe Parlamenti. “Këshilla ime për Presidentin e Republikës është ta dekretojë Sandër Lleshin. Kushti i vetëm që duhet sqaruar është i plotëson apo jo kushtet e neneve 70 dhe 103 të Kushtetutës. D.m.th. është apo jo ushtarak aktiv që e bën Sandrin të pamundur të emërohet ministër. Po u sqarua kjo gjë mundësisht publikisht, Sandri duhet dekretuar. Çdo qëndrim tjetër e komprometon rolin kushtetues të Presidentit”, shkruan Manjani, që e konsideron mjaft të drejtë refuzimin e parë që Meta bëri ndaj Lleshajt, pasi nuk mund të dekretonte një ministër pa verifikuar më parë të dhënat rreth tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat