Më 26 nëntor, unifikimi doganor Shqipëri - Kosovë

Shqipëria

Më 26 nëntor, unifikimi doganor Shqipëri - Kosovë

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 08:02
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Më 26 nëntor pritet të të nënshkkruhet marrëveshja për unifikimin doganor në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë dhe zbatimi nis nga janari i vitit 2019.

Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave të Kosovës dhe këshilltar i kryeministrit shqiptar Edi Rama, tha për REL se “qëllimi është që të harmonizohen të gjitha këto procedura, të eliminohet kontrolli i dyfishtë që kemi pasur dhe e kemi ende deri në hyrjen në fuqi të këtij protokolli. Paralelisht, jemi duke punuar që Zyrën Doganore në Durrës, ta avancojmë dhe të harmonizohet komplet me këtë protokoll dhe të harmonizohet me procedurat e reja që do të aplikohen në vendkalimin doganor, Morinë- Vermicë."

Ish-drejtori i doganave të Kosovës, Naim Huruglica, tha se “në mes të Kosovës dhe Shqipërisë është unifikim i procedurave në kuptimin e orareve, formave, punës në një objekt të përbashkët, për të mos pasur nevojë të ushtrohen dy kontrolle, pasi mund të bëhet një kontrollë e vetme me ekipe të përbashkëta. Kjo është një fazë më e avancuar sesa të kesh kontroll plotësisht të veçantë doganor”, thekson Huriglica.

Sipas të dhënave zyrtare, vlera e importit të produkteve nga Shqipëria në vitin 2008 ka qenë rreth 60 milionë euro përderisa në vitin e kaluar kjo shifër është rritur në 151 milionë euro.

Ndërkaq, vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri në vitin 2008 ka qenë në mbi 21 milionë euro dhe në vitin 2017 vlera e këtyre produkteve ka arritur më 60 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat