BE, mbështetje Shqipërisë për avancimin në Axhendën Dixhitale

Shqipëria

BE, mbështetje Shqipërisë për avancimin në Axhendën Dixhitale

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 19:39
Pamje nga takimi

Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në hapat e radhës që do të ndërmarrë në kuadër të avancimit të Axhendës Dixhitale.

Kjo u konfirmua sot nga Komisionerja e Bashkimit Europian për Ekonominë Dixhitale dhe Shoqërinë, Mariya Gabriel, e cila u prit në një takim nga zv.kryeministrja Senida Mesi.

Gjatë takimit, u diskutua mbi fokusin e qartë që ofron Axhenda Dixhitale dhe mbi progresin e bërë nga Shqipëria, mbi sigurinë kibernetike, si dhe mbi marrëveshjen e re për uljen e tarifave Roaming ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndër të tjera u vlerësua progresi i madh që ka bërë Shqipëria në drejtim të aftësimit dixhital, promovimit të ‘start up’-ve në fushën e dixhitalizimit dhe inovacionit.

Në këtë kuadër, Mesi shprehu bindjen e plotë se, “do të vijojë puna e nisur në bashkërendim mes qeverisë, botës akademike dhe bizneseve”.

Numri i dy i qeverisë, u shpreh se vendi ynë po merr mbështetjen e Bashkimit Europian edhe për të përfituar nga fondet që BE ka vendosur në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të axhendës digjitale.

“Në kuadër të kësaj iniciative të Bashkimit Europian janë vënë në dispozicion 80 milionë euro që do të jenë për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj është shumë e rëndësishme që ekspertiza e BE-së të na ndihmojë jo vetëm për rishikimin e strategjisë, por edhe në përcaktimin e hapave të nevojshëm dhe të domosdoshëm që Shqipëria të jetë si vendet e rajonit për të thithur sa më shumë këto fonde me qëllim që axhenda digjitale t’i shërbejë zhvillimit ekonomik”, u shpreh Mesi. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat