Gjykata, 55 vite burg për “grupin e Shullazit”

Shqipëria

Gjykata, 55 vite burg për “grupin e Shullazit”

Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 19:50
Gjykata, 55 vite burg për “grupin e Shullazit”

Në Shqipëri, gjykata e Krimeve të rënda dha sot vendimin për Emiljano Shullazin dhe 4 të tjerët të konsideruar pjesë e grupit të drejtuar prej tij, duke i dënuar me një total prej 55 vitesh burgim.

Për Emiljano Shullazin gjykata dha 14 vite burg nga 17 që kishte kërkuar prokuroria pasi e çliroi atë nga akuzat për kanosje ndaj dy profesorëve të Universitetit të Tiranës, duke lënë në fuqi akuzat për dy raste gjobvënie në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Katër personat e tjerë të akuzuar së bashku me Shullazin, Glimando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endri Zela, u dënuan nga 9 deri 12 vjet burgim.

Edhe seanca e sotme u zhvillua nën masa të rrepta sigurie, ndërsa jashtë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë kishte një prani të ndjeshme të forcave të policisë.

Emiljano Shullazi është një ndër emrat më të përfolur të krimit në Shqipëri. Çështja ndaj tij shkaktoi në muajin shtator tensione të forta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për shkak të zëvendësimit të prokurorit që e kishte ndjekur atë, i larguar me një leje afatgjatë për arsye shëndetësore. Një grup i madh prokurorësh refuzuan zëvendësimin e kolegut të tyre me short, gjë që pasoi në nisjen e një hetimi disiplinor ndaj tyre me urdhër të kryeprokurores Arta Marku, ndërsa tre prokurorë u transferuan jashtë Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat