Miliarda lekë shpërdorohen, qeveria dështon në rrugën Shkodër-Velipojë

Shqipëria

Miliarda lekë shpërdorohen, qeveria dështon në rrugën Shkodër-Velipojë

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 00:39
Miliarda lekë shpërdorohen, qeveria dështon në rrugën Shkodër-Velipojë

Rruga Shkodër – Velipojë, është cilësuar si një nga investimet më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare në zhvillimin e turizmit. Tre kompani private janë kontraktuar me një shumë prej rreth 2.3 miliardë lekësh për të realizuar projektin që duhej të përfundonte në maj të këtij viti, përpara fillimit të sezonit turistik.

Por realiteti është krejt tjetër. Në hyrje të këtij investimi miliarda lekësh të qeverisë qëndrojnë dy barrikada të vendosura nga 76 vjeçari Gjon Bituku nga Bërdica.

“E para, s’kam marrë asnjë dëmshpërblim dhe prandaj e kam bllokuar rrugën. E dyta për arsye se këtu futen makinat dhe fryn veri dhe i tan pluhuri i kësaj rruge më futet në shtëpi”, tregon ai për Citizens Channel.

Banesa e Gjonit është vetëm një nga 140 shtëpitë që preken nga 900 metrat e para të kësaj rruge turistike që po ndërtohet mbi tokat bujqësore të disa banorëve që të vetmin burim jetese kanë atë çka prodhojnë në tokën e “bërë kurban” për rrugën.

“E mbjell rreth 2-3 herë në vit me grurë, misër perime, bostan e gjithçka. S’e kam lënë kurrë djerrë. Me këtë jetojmë ne”, tha për Citizens Channel Palok Biduku, një tjetër banor i kësaj zone.

“Këtu s’ka ngel gjë veç pluhnit”, thotë 76-vjeçari Bituku. Kjo sepse prej rreth 4 muajsh kompania Gener 2 ka ndërprerë punimet në aksin e parë që duhet të shërbente si hyrje për rrugën Shkodër – Velipojë.

Citizens Channel iu drejtua Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) si autoritet kontraktues dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e projektit, për të zbuluar arsyet pse punimet janë ndërprerë.
“Ndërprerja ka ardhur për shkak të shqetësimeve të banorëve lidhur me procedurën e shpronësimeve. FSHZ bashkëpunon me Bashkinë Shkodër mbi një marrëveshje që përcakton se problemet sociale janë detyrim i Bashkisë për tu zgjidhur”, thuhet në përgjigjen e FSHZH.

Ndërkohë Bashkia Shkodër e konaktuar nga Citizens Channel mbi këtë çështje deklaron se, “është në proces të vlerësimit të pasurive”. Pra autoriteti përgjegjës që sipas ligjit duhet të kishte përfunduar shpronësimet përpara nisjes së projektit deklaron sot, 18 muaj pas fillimit të punimeve dhe 4 muaj pas ndërprerjes së tyre se ende nuk ka nisur të dëmshpërblejë banorët.

Një metër tokë më lirë se një metër plasmas…

Për rreth 140 pronarët e tokave që preken nga aksi i parë i rrugës Shkodër – Velipojë një metër tokë është vlerësuar me 200 lekë të vjetra. “Të vijnë të na i vlerësojnë tokat si duhet, jo me këtë çmim bastard. Se një metër plasmas bën 5 mijë lekë, jo toka me u vlerësu 2 mijë lekë metri katror”, tregon një nga banorët e zonës.

Isuf Meta anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër tha për Citizens Channel se Komisioni i Ngritur nga Bashkia për vendosjen e çmimit të tokës është bazuar në çmimin e referencës së shitjes së fundit.  ” Banorët kërkojnë që dëmet të vlerësohen sipas çmimit të tregut të sotëm, ku aktualisht çmimet janë dhjetë herë më lart”, thekson Meta.

“Matjet dhe vlerësimi duhet të bëhen nga Ministria e Transportit dhe e Bujqësisë në bashkëpunim me pushtetin lokal, përpara fillimit të punimeve duke publikuar në fletoren zyrtare vlerën e shpronësimit për çdo pronar”, shton Meta. Neni 15 i ligjit Nr.8561, për shpronësimet në pikën 1 përcakton qartë: ” për të krijuar mundësitë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të personave të tretë ndaj ose për shkak të pasurive pronë private që kërkohet të shpronësohen, ministria kompetente bën publikimin e kërkesës për shpronësim në Fletoren Zyrtare, në një gazetë me shpërndarje në të gjithë vendin dhe në një gazetë vendore për një periudhë një javore”.

Gjendja aktuale në këtë zonë tregon se nuk janë kryer dëgjesat publike, procesi i shpronësimit të banorëve nuk ka përfunduar dhe firma përgjegjëse për realizimin e projektit është larguar duke ndërprerë punimet.
Ligji parashikon në Nenin 16 se nuk mund të merret asnjë vendim shpronësimi përpara një afati një mujor nga përfundimi i procedurave dhe njoftimi i drejtpërdrejtë i pronarit që do shpronësohet.

Ndërkohë banorët e Harkut të Bërdicës treguan se nuk kishte ndodhur asnjë njoftim i tillë, madje ndërtimi i kësaj rruge ishte surprizë për ata.
“Veç kanë ardh natën e kanë punu. Natën. Kur jam çu natën e kam pa tu gërmu. Po ju mo?  – Kena ba rrugën!”, tregon Paluk Biduku.

“As s’ka kontaktu kush me banorët e Bërdicës. Disa herë jena anku, as Bashkia, asnjë institucion nuk na ka dalë për zot. Shpronësimet nuk janë bërë, edhe ata që kanë ardh sot janë shumë shumë të …lira. 2700 lekë një metër katrori tokë”, thotë Xhelal Myrtja.

” Kanë ardh direkt për të fillu punimet, i kam blloku nja 48 orë dhe atëherë erdhi ai i plotfuqishmi dhe më tha ‘si të duash tha, sot të kam ardh si shok, nesër të vij si ekzekutues, të marr të çoj atje në degë'”, tregon Gjon Bituku.

Rruga Shkodër – Velipojë në termat e investimit

Rruga Shkodër – Velipojë  ( “Harku i Bërdicës – Baks) në pjesën më të madhe të saj është ndërtuar, mirëpo segmenti hyrës mbetet i bllokuar për shkak të mospërfundimit të procesit të shpronësimit.

Kjo rrugë është investim i qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH).  Rruga është 18.3 km dhe është ndarë në tre lote, të cilët realizohen nga tre kompani të ndryshme, me një vlerë totale të investimit prej 2,297,144,930 lekësh.

Loti i tretë është 8.1 km dhe është realizuar nga kompania “Alb Tiefbau” dhe “Pe Vla Ku”, me një vlerë të investimit prej 872,165,306 lekësh.

Loti i dytë i gjatë rreth 6.16 km u realizua nga kompania “NTP Eurokos” dhe “Arifaj” dhe “Denis 05”, me vlerë të investimit prej 660,111,946 lekësh

Ndërsa loti i parë i mbetur pezull është me një gjatësi rreth 4.26 km, me vlerë investimi prej 754, 889,152 lekë.

Në dhjetor të vitit 2017 Kryeministri Rama shkoi të inspektonte rrugën Shkodër – Velipojë për të cilën kishin nisur punimet në qershor të po atij viti, duke u shprehur se kjo rrugë do të përfundonte në maj të vitit 2018.

Ndërkohë sot, 6 muaj pasi afati i shpallur nga Kryeministri projekti është ndërprerë dhe ende nuk dihet kur do të rinisë puna.

Janë vetë banorët të cilët në këto kushte, kërkojnë një zgjidhje përfundimtare, pasi ndodhen në situatën që janë edhe pa tokë edhe pa rrugë.

“Nëpërmjet jush unë i them Bashkisë ose Qeverisë, që masi e kanë çu në këtë gjendje, tashi të vijnë të merren vesh me ne, ta mbledhim fshatin, kryeplakun dhe të gjejnë një zgjidhje”, shprehet Palok Bituku, Banor i Bërdicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat