Norvegjia mbështet Shqipërinë për zhvillimin e sektorit detar

Shqipëria

Norvegjia mbështet Shqipërinë për zhvillimin e sektorit detar

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:36
Pamje nga konferenca

Shqipëria është e vendosur t’i japë një shtysë zhvillimit të sektorit detar për t’u futur në rrugën drejt një rritjeje të qëndrueshme. Projekti i quajtur "Zhvillimi i sektorit detar" i cili u prezantua sot në Tiranë, financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar.

Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar.

Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.

Objektivat kryesore të projektit janë fuqizimi i kuadrit rregullator detar në përputhje me praktikën ndërkombëtare detare dhe kriteret legjislative të BE-së; fuqizimi i kapacitetit institucional për të harmonizuar standardet dhe rregulloret përmes programeve të trajnimit dhe të shkëmbimit, si dhe rritja e përpjekjeve të qeverisë për të promovuar krijimin e grupimeve detare dhe koordinimin ndërmjet tyre.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se kjo mbështetje financiare nga qeveria norvegjeze do të mundësojë fillimin e reformimit të këtij sektori, krijimin edhe të dijeve të nevojshme nëpërmjet bashkëpunimit me universitetin e Vlorës.

“Këtu dua të falenderoj sepse është qasja e duhur për të filluar që nga njerëzit e parë teknikë të cilët duhet të përgatiten dhe duhet të merren më këtë sektor. Sepse në shumë sektorë ne kemi humbur shumë kualitete kështu që realisht industria detare kërkon njerëzit e tyre. Por nga ana tjetër asistenca që duhet ti jepet autoriteteve shqiptare për të reformuar dhe për të krijuar një strategji të qartë në lidhje me industrinë detare, pra jo vetëm infrastrukturë portuale, sepse u tha drejtë këtu. Kryesisht Shqipëria ka qenë e fokusuar tek investimet në infrastrukturën portuale dhe këtu ka progres, janë bërë investime. Së fundi jemi dëshmitarë të investimeve që po bëhen në portin e Vlorës. Shumë shpejt do të fillojë edhe një investim i rëndësishëm për funksionimin e portit të Durrësit siç është thellimi i portit të Durrësit, që ka qenë një problem prej shumë vitesh dhe që ka ulur kapacitetet e përp unimit të portit të Durrësit. Nga ana tjetër kemi fituar një grant nga Bashkimit Europian, nëpërmjet WBIF dhe shumë shpejt do të kemi edhe financimin për investime kapitale, zgjerimin e infrastrukturës së portit të Durrësit.”

Ambasadori i Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë, Per Strand Sjaastad u shpreh industritë detare mund të jenë një sektor i ri zhvillimi në Shqipëri.

“Unë mbështes autoritetet shqiptare që e kanë shndërruar këtë në një prioritet për vendin. Norvegjia është një prej shteteve udhëheqëse detare në botë. Ne jemi të gatshëm ta asistojmë Shqipërinë në zhvillimin e sektorit të saj detar. Gjatë fazës së parë do të përqendrohemi tek aftësitë dhe ngritja e kapaciteteve të autoriteteve publike detare, arsimi dhe programet e studimit, si dhe te grumbullimi i të dhënave detare, si bazë e zhvillimit ekonomik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat