Ky është biznesmeni më i madh shqiptar që negocioi me Ramën për kalimin e Gruevskit nëpër Shqipëri

Shqipëria

Ky është biznesmeni më i madh shqiptar që negocioi me Ramën për kalimin e Gruevskit nëpër Shqipëri

Nga: N.Sh Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 19:38
Edi Rama, Gruevski

Analisti kontrovers nga Shqipëria, Kastriot Myftaraj pyet se pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e mori përsipër koston e arratisë së Gruevskit nëpër Shqipëri?

Myftaraj përmes një shkrimi në Facebook, thotë se arratia e Gruevskit, nga Maqedonia në Hungari nëpërmjet Shqipërisë nuk mund të kryhej pa lejen dhe bashkëpunimin e kryeministrit Rama.

“Gruevski kishte një problem kur siguroi garancinë e Ramës për kalimin nëpër Shqipëri. Gruevskit i duhej të hynte ilegalisht në Shqipëri, sepse atë sigurisht që do ta ndalonte Policia Maqedone nëse do të paraqitej në ndonjë nga vendkalimet kufitare zyrtare, me Shqipërinë. Por Gruevskit i duhej që të dilte legalisht nga Shqipëria, pasi në ndërkohë do të ishte paraqitur në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë për të kërkuar azil. Diplomatët hungarezë nuk mund ta nxirrnin atë jashtë Shqipërisë duke shmangur vendkalimet kufitare zyrtare. Por autoritetet kufitare shqiptare nuk mund të lejonin të kalonte kufirin shtetëror një person, i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri, duke kryer kështu një vepër penale, për të cilën duhej të arrestohej dhe të dilte para një gjykate në Shqipëri”, shkruan Miftaraj, transmeton gazeta “Bota sot”.

Ai tutje shton se, Gruevski duhet të kishte garancinë se nuk do të ndalohej nga Policia Shqiptare në daljen nga kufiri shqiptar.

"Biznismeni më i madh në Shqipëri, Samir Mane, ka negociuar me Kryeministrin Rama për kalimin tranzit të Gruevskit nëpër territorin e Shqipërisë. Që të mund të realizohej ky operacion kaq i ndërlikuar u paguan shumë para nga ana e z. Mane, te ata zyrtarë të cilët ishin të përzier në këtë histori, pa përjashtuar Kryeministrin Rama. Përjashtohet mundësia që të ketë marrë para vetëm Rama, sepse asnjë funksionar shtetëror nuk do të guxonte të bashkëpunonte në këtë histori kriminale", shkruan ai.

Lexojeni shkrimin e plotë të Kastriot Myftaraj:

Pse Edi Rama e mori përsipër koston e arratisë së Gruevskit nëpër Shqipëri

Arratia e Gruevskit, nga Maqedonia në Hungari, nga mënyra sesi u bë, nëpërmjet Shqipërisë, nuk mund të kryhej pa lejen dhe madje bashkëpunimin e njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri, Kryeministrit Rama.

Me njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, në të cilin thuhet data se kur Gruevski ka dalë nga Shqipëria, por jo data se kur ka hyrë, si dhe ku në një përpjekje naïve shfajësuese thuhet se Gruevski u shpall në kërkim ndërkombëtar dy ditë pas kalimit nëpër territorin e Shqipërisë, Edi Rama, njeriu i cili qëndron pas këtij njoftimi, praktikisht ka marrë përsipër bashkëpunimin e tij të kundërligjshëm me Gruevskin për arratinë e tij nëpër territorin shqiptar.

Gruevski kishte një problem kur siguroi garancinë e Ramës për kalimin nëpër Shqipëri. Gruevskit i duhej të hynte ilegalisht në Shqipëri, sepse atë sigurisht që do ta ndalonte Policia Maqedone nëse do të paraqitej në ndonjë nga vendkalimet kufitare zyrtare, me Shqipërinë.

Por Gruevskit i duhej që të dilte legalisht nga Shqipëria, pasi në ndërkohë do të ishte paraqitur në Ambasadën e Hungarisë në Tiranë për të kërkuar azil. Diplomatët hungarezë nuk mund ta nxirrnin atë jashtë Shqipërisë duke shmangur vendkalimet kufitare zyrtare. Por autoritetet kufitare shqiptare nuk mund të lejonin të kalonte kufirin shtetëror një person, i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri, duke kryer kështu një vepër penale, për të cilën duhej të arrestohej dhe të dilte para një gjykate në Shqipëri.

Pra, Gruevski duhet të kishte garancinë se nuk do të ndalohej nga Policia Shqiptare në daljen nga kufiri shqiptar.

Biznismeni më i madh në Shqipëri, Samir Mane, ka negociuar me Kryeministrin Rama për kalimin tranzit të Gruevskit nëpër territorin e Shqipërisë. Që të mund të realizohej ky operacion kaq i ndërlikuar u paguan shumë para nga ana e z. Mane, te ata zyrtarë të cilët ishin të përzier në këtë histori, pa përjashtuar Kryeministrin Rama. Përjashtohet mundësia që të ketë marrë para vetëm Rama, sepse asnjë funksionar shtetëror nuk do të guxonte të bashkëpunonte në këtë histori kriminale.

Policia e Shtetit e Shqipërisë, në njoftimin e saj për kalimin e Gruevskit nëpër Shqipëri thotë se ai ka dalë nga Shqipëria në datë 11 nëntor, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar, në 13 nëntor. Por njoftimi zyrtar shmang të përmendë se kur Gruevski ka hyrë në territorin e Shqipërisë, pasi ai nuk e ka bërë legalisht këtë gjë. Policia e Shtetit e Shqipërisë nuk mund të gënjejë për këtë gjë, pasi Gruevski nuk ra nga qielli në vendkalimin kufitar të Qafë-Thanës, për t’ u regjistruar veç nga autoritetet shqiptare. Ai në një rast të tillë duhet të kishte kaluar edhe nëpër vendkalimin kufitar maqedon, çka nuk ka ndodhur.

Arsyeja për të cilën z. Mane u përzie në këtë histori është se ai ka pasur shumë favore nga Gruevski, kur ky ishte në pushtet; le të sjellim ndërmend bizneset e mëdha, të dyshimta, të z. Mane në Maqedoni.

Arsyeja për të cilën Edi Rama u përzie në këtë histori është e paqartë, sepse sado para të jenë dhënë për këtë qëllim si mitë, Edi Rama vështirë se do të rrezikonte kaq shumë i joshur prej tyre, sa të merrte përsipër koston e bashkëpunimit në arratisjen e ish-kryeministrit të një vendi fqinj të dënuar për shpërdorim detyre. Aq më tepër tani kur Rama flet shumë për reformën në drejtësi dhe për luftën kundër korrupsionit.

Sesa i përzier është Rama në këtë histori, do të duket nga mënyra sesi do të reagojë shteti, duke nisur që nga vetë Rama, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Prokurorja e Përgjithshme e emëruar prej Ramës. Nëse shkarkohen dhe cohen për ndjekje penale Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit që është përgjegjës për njoftimin dhe zinxhiri i personave përgjegjës në radhët policore, Rama tregon se nuk ka faj. Nëse Prokuroria e Përgjithshme nis një hetim dhe merr masa ndaj përgjegjësve, Rama nuk ka faj. Nëse nuk ndodh asgjë nga këto, është dora e Ramës dhe pohim i fajësisë së tij./Kastriot Myftaraj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat