Vettingu në politikë/ Ekspertët e ‘Venecias’ takojnë sot kreun e Kushtetueses

Shqipëria

Vettingu në politikë/ Ekspertët e ‘Venecias’ takojnë sot kreun e Kushtetueses

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 09:56
Delegacioni i Komisionit të Venecias

Delegacioni i Komisionit të Venecias me gjashtë anëtarë vijon takimet në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri. Delegacioni i përbërë nga; Veronika Bilkova, Artemiza-Tatiana Chisca, James Hamilton, Jorgen Steen Sorensen dhe Hanna Suchocka dje zhvilloi disa takime.

Delegacioni i nisi takimet dje me kryetarët e grupeve parlamentare, Presidentin, ministren e Drejtësisë dhe ambasadorin e BE. Ndërsa sot do të kenë takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e ILDKPKI, Ganaj dhe kreun e EURALIUS, Agnes Bernhard.

Anëtarët e Komisionit të Venecias ndodhen në Shqipëri për tu njohur më konkretisht me propozimin e opozitës, që synon kalimin në sitën e vettingut të të gjithë të politikanëve. Përsa i përket takimeve të djeshme, PD kërkoi nga ‘Venecia’ që për politikanët të ndiqet i njëjti standard si për gjyqtarët dhe prokurorët për të kaluar në vetting.

Ndërsa shumica përmes Ulsi Manjës reagoi duke pohuar se opinioni i Komisionit është thelbësor, pasi ‘Venecia’ është tabani i demokracisë. Por si nisi historia e propozimit të PD? Në datë 7 shtator Partia Demokratike depozitoi në Kuvend një draft me propozimet për Vettingun në Politikë, por në asnjërën nga pikat nuk përmend vettingun për familjarët e politikanëve.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se propozimi do të dërgohet në Komisionin e Venecias për rekomandim pasi dublon reformën në drejtësi, por nëse do të bëhet, shtoi ai, duhet të përfshijë edhe familjarët e politikanëve. Pak javë më parë ishte kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci që përmes një letre i kërkoi komisionit mendimin përmes 8 pyetjeve.

Dje delegacioni erdhi në Tiranë për t’u njohur nga afër me propozimet dhe qëndrimet e palëve politike, ndërsa nisma e opozitës do të shqyrtohet në Komisionin e Venecias në datë 15 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat