Përgatiten për Lojërat Olimpike Dimërore

Skijim

Përgatiten për Lojërat Olimpike Dimërore

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 10:45
Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm Shasivar Haxhijaj, kanë vazhduar takimet me drejtuesit e federatave

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm Shasivar Haxhijaj, kanë vazhduar takimet me drejtuesit e federatave.

Hasani dhe Haxhijaj kanë takuar drejtuesit e Federatës Skitare të Kosovës, presidentin Milaim Kelmendi dhe sekretarin e përgjithshëm Emin Dushullovci.

KOK dhe FSK biseduan për përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018, konkretisht dërgimin e sportistëve në përgatitje, uniforma, bursat e sportistëve, numrin e pjesëmarrësve, etj.

Palët rikonfirmuan qëndrimin parimor se në LOD PyeongChang 2018 do të shkojnë vetëm sportistët që kanë rezultatet më të mira, andaj inkurajohen të gjithë sportistët të shfrytëzojnë këtë periudhë për rezultate sa më të mira.

LOD PyeongChang 2018 mbahet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, kurse deri më tani, skitari Albin Tahiri, ka siguruar normën olimpike në pesë disiplina.

Po ashtu, të dy palët u njoftuan me aktivitetet e përbashkëta të realizuara deri më tani dhe ato që do të organizohen për vitin 2018.

Drejtuesit e FSK-së, shfrytëzuan këtë takim për të prezantuar në pika të trasha programin strategjik për përgatitjet finale të sportistëve për LOD PyeongChang 2018.

Krerët e KOK-ut, siguruan komunitetin e skijimit, se sportistët e tyre do të kenë mbështetje prioritare financiare. KOK, javë më parë ka mbajtur takime edhe me Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat