Kushte ekstreme në Zvicër, lihet në mes gara e sllallomit për femra

Skijim

Kushte ekstreme në Zvicër, lihet në mes gara e sllallomit për femra

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 16:36
Pamje nga vendi i ngjarjes

Garat e Kupës së Botës për femra në ski janë rikthyer sot në Europë, ku përgjatë gjithë fundjavës do të garohet në pistën zvicerane të St.Moritz. Por për shkak të motit të keq rrezikohet që të mos zhvillohet asnjë garë, ashtu sikurse ndodhi sot, ku një fortunë ka lënë në mes garën e “super të kombinuarës” për femra.

Në këtë garë zhvillohet fillimisht super-gjigandi e më pas sllallomi, por duke parë kushtet e vështira atmosferik, organizatorët ndryshuan radhën e disiplinave, duke vendosur që fillimisht të zhvillohet sllallomi e më pas super-gjigandi.

Pas zbritjeve të para, kohën më të shpejtë e dha skiatorja amerikane Mikaela Shiffrin (42”53), duke lënë pas vendaset Wendy Holdener dhe Michelle Gisin. Kushtet e motit u bënë edhe më të vështira me kalimin e kohës, duke e bërë të pamundur zhvillimin e garës së super-gjigandit. Ndaj, organizatorët vendosin të mos lejojnë zbritjen e skiatoreve dhe të anullojnë garën.

Ajo që ka mbetur më shumë e zhgënjyer ka qenë pikërisht Shiffrin, që ishte pranë një triumfi tjetër këtë sezon të Kupës së Botës. Parashikimi për kushtet e motit duket se e bëjnë të pamundur zhvillimin e garave përgjatë gjithë fundjavës, duke lënë në dilemë zhvillimin normal të kampionatit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat