Njihuni me Laben, 7-vjeçaren nga Elbasani që nuk e pranojnë në shkollë

Sociale

Njihuni me Laben, 7-vjeçaren nga Elbasani që nuk e pranojnë në shkollë

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 20:08
Labja

“Dua të luaj te ky oborri atje po s’më lenë… Mami ka thënë se msusja s’na le në shkollë… ajo me tha ik në shpi…nuk kam libra…. edhe kur vij ktu, kto fmijt’ m’shajnë s’më lenë të shkoj te ai oborri, më thonë ik ime se do lujm ne aty … .” Janë këto fjalët e një fëmije rom shtatë vjeç.

Është Labja, fëmija e një familje rome që jeton në një lagje të Elbasanit. Këtë shtator ajo nisi shkollën. Thotë se ka shumë dëshirë të shkojë në shkollë. Shkoi vetëm dy ditë dhe ditën e tretë mësuesja e përzuri.

“Nuk di të shkruaj e të lexojë… nuk di asgjë…”. Ky është justifikimi i mësueses për Laben e vogël. Ajo mund të mos dijë të shkruajë e të lexojë, ndaj dhe ka shkuar në shkollë, të mësojë. Nuk ka logjikë. Arsyetimi i mësueses është veçse një justifikim për të përzënë atë vajzë, bashkë me të gjithë moshatarët e saj romë, sepse nuk i duan romët në klasë.

Historia e Labes nuk është e vetmja. Fare afër pranë kasolles së saj, një tjetër vajzë dhjetë vjeç është përzënë këto ditë nga shkolla “Hamit Mullisi” në Elbasan, me të njëjtat arsyetime. 27.al ka pyetur pranë shoqatës së romëve të këtij qyteti për numrin e fëmijëve të këtij komuniteti që shkojnë në shkollë.

Ata nuk kanë një shifër të saktë, por thonë se janë disa dhjetëra që shkojnë në shkollë. E nisin mësimin pastaj e lënë sepse nuk duan të shkojnë në shkollë. Dihet tashmë problematika që shoqëron jetesën e komunitetit rom. Megjithatë nuk ka asnjë arsyetim që e justifikon qëndrimin e mësueses së shkollës “Hamit Mullisi”. Ata nuk dinë ku të ankohen, sepse askush nuk u hap derën e askush nuk i ndihmon. Asnjë shoqatë nga ato që kanë marrë në mbrojtje komunitetin rom nuk ka reaguar për këtë fenomen. Autoritet në Elbasan, apo edhe mësuesit, të thonë nën zë: “Ata nuk e kanë qejf shkollën”.

Ky rast përcjell sërish diskriminimin që ndodh në Shqipëri, kurse në Tiranë, por edhe gjetkë jepen me mijëra euro fonde me qëllim integrimin e romëve në shoqërinë shqiptare. Ja, atje në Elbasan ku ka një përqendrim të komunitetit rom, ka varfëri, fëmijë në rrugë, të pastrehë dhe fondet nuk mbërrijnë kurrë.

Këta fëmijë të vendosur në Elbasan, Tiranë e mbarë vendin, vazhdojnë të jetojnë në kushte mjerueshme dhe të ekspozuar përballë trafikut të qenieve njerëzore.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat