Rrëfimi ekskluziv i nënës nga Prishtina për djalin e saj narkoman dhe ndihmën që mori nga dy Karabinierët italian

Sociale

Rrëfimi ekskluziv i nënës nga Prishtina për djalin e saj narkoman dhe ndihmën që mori nga dy Karabinierët italian

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 mars 2018 Në ora: 20:29
Ilustrim

Një nënë që ndryshe e kishte menduar jetën e saj familjare, sot më shumë se kurrë ka nevojë për pak qetësi. Ajo sikur asnjëherë më parë dëshiron që ankthi i saj jetësor të merr kahje tjetër, në mënyrë që djali i saj i vetëm ti buzëqesh sërish jetës dhe ta përqafojë atë ashtu si dikur.

Nëna B.M. 60 vjeçare nga Prishtina, të cilës që nga larg mund t’ia lexosh dhimbjen në shikimin e saj,  dhembshëm, tregon se pikëllimi tashmë ka  zënë vend në zemrën e saj.

Duke shpalosur copëzat e jetës, ajo ka treguar për “Bota sot” epilogun tragjik dhe ngjarjet  rrëqethëse për birin e saj, sakrificat që kishte bërë për ta rritur si një nënë e vetme, dhe për sfidat që i kishte përjetuar nëpër vite. Dhe nga fjalët e saj për çudi, kishe ndjenjën sikur ajo kishte jetuar një dekadë të tërë të gozhduar mes dhimbjeve dhe lotëve.

“Është shumë e vështirë për një nënë që ta sheh fëmijën e saj se si tretet dhe vyshket dita –ditës. Por edhe më vështirë është për të kur dëshiron ta ndihmoj fëmijën e saj me krejt qenien që ke dhe nuk mundesh”, thotë nëna nga Prishtina teksa sa i dridhet zëri.

“Vërejta ndryshimin në sytë e tij”

Ajo ka treguar, se gjithçka kishte filluar të marr teposhtën, kur djali i saj ishte vetëm 13 vjeçar.

“Për shkak se e kisha djalë të vetëm T.K. e regjistrova në Kolegjin “American School Of Kosovo”. Djali im ishte nxënës shumë i dalluar, fliste shumë bukur gjuhën angleze dhe kishte kapacitet për ti kapur gjërat vetëm me një të lexuar. Por një ditë prej ditëve vërejta ndryshimin në sytë e tij, shikimin më nuk e kishte siç e kishte pasur dikur, të hareshëm dhe plot jetë, por dukej sikur fshihej një labirint në të. E pyeta nëse kishte ndonjë problem që ta ndihmoja por refuzonte duke thënë se ”mirë jam”.  Edhe sot kur e kujtojë atë ditë e mallkojë veten, se sa e marrë që isha, se si mund ti besoja dhe nuk fillova që së paku ta përcillja hap pas hapu, t’ia kontrolloja çantën dhe ta gjurmoja”, thotë nëna nga Prishtina duke kafshuar buzët nga mërzia.

Por, ajo tregon se pas disa jave filloi ta përcillte të birin, lëvizjet e tij, ndryshimet e tij, nga një djalosh i lumtur në një person agresiv dhe shumë gjëra tjera që nuk i përkisnin atij.

“E rrëmbeva për krahu një ditë tek sa po dilte shkallëve për të shkuar me shokë dhe e luta që të më tregonte se çfarë fshihte nga unë, se çfarë kishte që ishte shndërruar në një fëmijë krejt tjetër? Më shtyu duke refuzuar të fliste dhe duke më thënë se edhe sikur t’më tregonte s’do ta kuptoja. Por pas këtyre fjalëve mu duk se e gjithë banesa mu shemb në kokë, dhe sikur zemra mu copë-copë. S’dija ç’të bëja fillova të qaja sepse unë kisha bërë aq shumë për të, duke e sakrifikuar edhe jetën time, vetëm që ta rrisja aq më mirë që ishte e mundur duke iu bërë atij edhe baba edhe nënë. Nuk kish ndjenjë më të dhimbshme në botë se ta shohësh fëmijën tënd atë që e ke sjell në jetë me plot gëzim, se si vazhdon ta marr një rrugë tjetër ku jeta s’ka vend. Atëherë fillova t’ia thërras të gjithë shokët një nga një, t’ia marr një pyetje, por asnjëherë prej tyre nuk pranonte se biri im kishte zgjedhur rrugën e gabuar. Por, unë tashmë isha një nënë e vetëdijshme dhe kuptova se djali im kishte filluar të përdorte substanca narkotike. Atë natë nuk më zuri gjumi fare. E kisha pritur gjithë ditën në prag të derës që t’më thoshte të paktën një fjalë se çfarë po përdorte, se çfarë po konsumonte që ta dërgoja jashtë Kosovës, për rehabilitim. Por, ai tashmë kishte filluar të bëhej agresiv, madje as që donte t’më shikonte në sy se leje më t’më fliste. Të nesërmen me forcë e morra, u konsultova me disa familjar të mi, me disa miq dhe mikesha, dhe u nisa për në Zagreb. Kisha dëgjuar se atje ishte një shtëpi rehabilitimi dhe e kisha një fije shpresë meqë ishte ende fillimi që biri im kishte filluar të përdorte narkotikë. Vetëm shpirti im e di se sa dhimbje kisha, se sa e gjatë më është dukur ajo rrugë, dhe përgjatë gjithë atij udhëtimi derisa T. K , flinte mendova për jetën time. Pse jeta ishte kaq e padrejtë me mua? Pse më ndodhi mua, pse- pse, çfarë nuk kisha bërë për të që të ishte një fëmijë i lumtur. Fillova ti mallkojë edhe ata që i kishin shitur birit tim narkotikë. Mendimet e errëta ma kishin kapluar kokën saqë përnjëherë i thashë vetës “Po të dija vetëm se kush ma futi djalin tim të vetëm në këtë rrugë do ta vrisja me dorë time dhe do të dorëzohesha vet në polici”, rrëfen B. M. Nga Prishtina.

Largimi nga shtëpia

Ajo me zërin e saj të mekur ka treguar edhe se si kishte kaluar ato ditë në Zagreb së bashku me të birin për ta shëruar.

“Pasi ndenjëm një kohë atje, arritëm sërish në Kosovë. E kam përcjell në çdo hap që ka bërë dhe jam munduar ti shkoj mbas kudo që shkonte. Për vite u mundova ta mbaja nën vëzhgim duke i folur duke e këshilluar, por siç duket ishte e kotë. Pas një kohe, meqë e pashë se më s’po mund t’ia dilja u përpoqa ta mbaja mbyllur tim bir, por ai tashmë nuk ishte më një fëmijë i vogël, pasi ishte rritur dhe nuk kisha fuqi ta zaptoja. Më gënjente duke thënë se nuk po përdorte më se e kishte lënë, por kurrë si besova se thellë në vetën time e dija se po më tradhtonte, e disa se po më gënjente. Dhe një ditë tek sa unë po përgatisja në kuzhinë ushqim për të ra telefoni e më pas edhe heshtja. Kur po hyja në dhomë ai nuk ishte aty. Kishte ikur nga shtëpia. Tani kisha humbur më forcën dhe durimin fillova të qaja duke e lutur Zotin që t’ma merrte shpirtin. Isha bërë një nënën e copëtuar me mish e shpirt dhe s’kisha më as ku të gjeja ngushëllimin. E ndjeja se sa kishte filluar prapë avazin të vjetër. Dola jashtë si e çmendur, duke vrapuar nëpër lagje, rrugica e hyrje të banesave se mos ishte fshehur diku më atë shoqëri të mallkuar që e kishin futur në vallen e errtë e të zezë. Por jo ai nuk ishte askund. Prita deri vonë por ai nuk u kthye. Në mbrëmje shkova dhe e lajmërova në polici por asnjë gjurmë prej tij. Ah sa më dhemb shpirti edhe tani kur po rrëfehem. Po unë kam qenë një grua e zonjë, një nënë e kujdesshme një grua që e ka dashur jetën, por tani më as jetën se doja, tregon B.M. duke thënë se disa herë kishte tentuar ti jepte fund jetës së saj, por Zoti e kishte shpëtuar. E di s’është e tmerrshme kjo që po ju tregoj, por unë kam dashur ti dhe jetës sime fund, sepse nuk kam pasur më fuqi çtë bëj si t’ia dal. Djali im ishte bërë agresivë dhe para se të ikte nga shtëpia thyente dhe shkatërronte çdo gjë. Krejt çka pata pasur ia pata dhënë edhe paratë e fundit edhe çdo gjë të vlefshme që kisha se sikur ta refuzoja çartej i tëri...Disa ditë njerëzit e mi dhe miqtë më qëndruan afër, dukë më ngushëlluar se do të bëhet mirë se do ta gjeja djalin sërish dhe se do të shërohej ndoshta një ditë, por ai për javë të tëra nuk erdhi në shtëpi dhe nuk u bë më i gjallë. Figuronte si i zhdukur dhe as policia s’po e gjente dot. Deri sa një ditë një mike e imja e punës, më tha se e kishte parë djalin tim në një park në Tiranë”, ka treguar B. M, duke thënë se mezi e kishte pritur mëngjesin.

Udhëtimi në Tiranë

“U zgjova herët, morra disa të holla me vete dhe u nisa drejt Tiranës ta kërkoja nëpër parqe aty ku më kishte treguar mikja, po si ta gjeja kur Tirana kishte shumë parqe. Duke pyetur njerëz të mirë atje dhe duke iu treguar fotografinë e djalit tim arrita ta gjeja, në një stol ulur i vetëm. Me të vërtetë ishte vështirë për një nënë ta takojë djalin e saj pas disa jave në një vend tjetër jashtë kufijve, por edhe fuqishëm që ishte të paktën gjallë. Doja të kthehesha me të në Kosovë por ai nuk bindej assesi që të vinte në shtëpi.

“Jo më tha nuk vij dot se e di që ti po kurdisë diçka për mua”. E luta me krejt çka kisha i thashë se ajo çfarë po bëja ishte për të mirën e tij. Por, as lutjet nuk kishin peshë më. Atëherë kontaktova miken time S. R. e cila punon për “Komunitetin Chenakol”, që për fat e kisha njohur vite më parë, dhe e cila më kishte ndihmuar vazhdimisht  rreth djalit. Me iniciativën e saj u bindëm që të bashkëpunonim me Policinë e Kosovës –Njësitin Anti Drogë, dhe me dy miq të saj të Policinë Ushtarake Italiane ( MSU) Dario Marsocci  dhe Giam Paulo Clerico, të cilët vullnetarisht donin ti ndihmonin djalit tim që të bindej dhe të vinte në Kosovë. T’ju them me gjithë zemër u jam mirënjohëse dhe falënderuese këtyre dy personave që kurrë nuk i kisha takuar më parë. Ata kishin arritur në kufi bashkë me Policinë e Kosovës dhe prisnin djalin tim që të hynte në territorin e Kosovës. Tanimë edhe djali im po e ndjente se unë diçka po ‘kurdisja’ siç më tha edhe vet, edhe pse unë në të vërtetë nuk po kurdisja asgjë, pos që e doja djalin tim, pos që doja ta ktheja në jetë djalin tim, atij që ia kisha dhurua jetën. Si një nënë e vetme që isha, thjesht unë doja vetëm ta mbroja bimën time të zemrës, pasi shumë herë kisha dëgjuar të vjetërit duke thënë “që evladi është bima e zemrës”, por më besoni atë ditë u binda se ashtu ishte. Se një nënë ish në gjendje të bëj çdo gjë dhe të jap gjithçka nga vetja për fëmiun e saj”.

Djali miratoi kërkesën e dy Karabinierëve italian Dario Marsocci  dhe Giam Paulo Clerico

Edhe pse e dija që unë nuk po bëja asgjë kundër tij, nuk isha ende e bindur se si do ta prisje ai këtë skenë, kur ti shihte uniformat blu të Policisë që kurrë si kishte pasur përzemërt dhe si do t’ia shpjegoja faktin që unë doja ta dorëzoja atë në Polici në mënyrë që ai të dilte nga ai labirint.

Ishte e vetmja rrugë që biri im T. K. Tani 21 vjeçar  të ndalonte së konsumuari substance narkotikë dhe të tërhiqte nga shoqëria e dikurshme. Po si ta bindja vallë? Si ti thosha që po më plaste zemra, e po më qante shpirti që ta shihja edhe njëherë në gjendje normale të rregullt siç ishte dikur. Si ta bindja kur refuzonte? Si ta bindja kur filloi sërish të bëhej agresiv me mua?  Ishte Dario ushtaraku italian ai i cili e bindi me fjalë dhe premtime djalin tim që të dorëzohej dhe po njeri që i premtoi se do ti ndihmonte të shërohej  sapo të dilte me vet dëshirë dhe me bindje, nga ajo skëterrë me synimin që do ta dërgonte për shërim në Itali pasi ti kryente procedurat paraprake nga Policia E Kosovës.

Më besoni atë moment, jam ndjerë nëna më me fat dhe më e lumtur së paku për një çast, kur heshtja e tij, miratoi kërkesën e dy Karabinierëve italian Dario Marsocci  dhe Giam Paulo Clerico ku edhe u bind që tu dorëzohej vet Policisë së Kosovës. U gëzova që u bind më në fund që të hynte në burg për veprat e paligjshme që i kishte bërë rreth drogës, dhe ti bindej rregullave siç duhej. Asnjë nënë nuk dëshironim ta shoh birin e saj të prangosur, prapa grilave, por ishte e vetmja rrugë që ai ti largohet së keqes, dhe të bindej që të shërohej më tej’, rrëfen B.M. duke treguar që djali i saj tash vuan dënimin në burgun e Lipjanit.

“Arsyeja që më mban gjallë është shpresa, shpresa e vetme që e kam për djalin tim që ai sapo të dal nga burgu të merr rrugën për Qendër Rehabilitimi në Itali, ashtu edhe siç i premtuan dy ushtarakët Italian Dario Marsocci  dhe Giam Paulo Clerico. Është e çuditshme  që djali im, as mua nuk më beson, më shumë se iu beson këtyre dy ushtarakeve. Dhe tani mua si nënë s’më mbetet tjetër veç të shpresojë që djali im sapo të del nga Burgu të merr rrugën për shërim në Itali, dhe një ditë t’më kthehet në shtëpi i lumtur dhe t’më përqafojë edhe një herë ashtu sikur kur ishte fëmijë, thotë B.K.

Mesazhi i nënës B.K.

Ajo thotë se ka një mesazh për të gjitha nënat kudo që janë, që të kenë kujdes dhe vëmendje të paskajshme ndaj fëmijëve të tyre, madje edhe atëherë kur mendojnë se ata janë të vegjël, dhe se nuk janë të prirë për gjëra të tilla të këqija.

“Uroj dhe lus me zemër që asnjë nënë të mos e ketë fatin tim, dhe të mos e provoj jeta ashtu siç më ka provuar mua. Gjithashtu falënderojë me zemër miqtë, mikeshat e mia, familjarët, kolegët e mi, Policinë e Kosovë –Njësitin Anti Drogë, dhe në veçanti dy ushtarakët Italian të ( MSU) Dario Marsocci  dhe Giam Paulo Clerico, të cilët bënë aq shumë për birin tim. Që të dy nuk kursyen asgjë nga vetja, dhe bën shumë për mua, në emër të humanizmit, dhe për hir timin si një nënë e vetme që isha, pa të cilët nuk do t’ia arrija kurrë që ta bindja djalin tim që ti kthehet jetës. Pa të cilët që nuk do të mundja kurrë  ta bindja djalin tim, që ti kthehet vendlindjes, vendit ku e linda, e ku e rrita, ti kthehet njerëzve që e donin, dhe të gjithë atyre që e përkrahnin, me një fjalë t’më kthehej mua si Nënë, që ti dëgjoja  serish trokitjet e zemrës sime”, ka thënë B. M.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat