Instruktori i palestrës me historinë më frymëzuese, nuk u ndal edhe pasi humbi një këmbë!

Sociale

Instruktori i palestrës me historinë më frymëzuese, nuk u ndal edhe pasi humbi një këmbë!

Më: 8 prill 2018 Në ora: 21:20
Niku

Thonë se dashuria e motrës për vëllanë nuk ka të sosur dhe këtë erdhi të na e vërtetonte në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, Ledia, një vajzë nga Rrësheni.

Ajo kishte thirrur në studio vëllain e saj të vetëm, Nikun, për t’i thënë atij që nuk do ta linte kurrë vetëm. Niku ka pësuar vite më parë një aksident të rëndë, ku ka humbur njërën këmbë dhe bashkë me të, shpresat për të ndjekur ëndrrën e tij të cilat u pakësuan. Mesazhi i Ledias për vëllain pasohet edhe nga një surprizë tepër e këndshme që sjell shumë shpresë për protagonistët tanë.

Ledia: Unë quhem Ledia, jam 18 vjeçe. Kam ardhur këtu për vëllain tim, dua t’i jap një mesazh atij.

Ardit Gjebrea: Nikut? Çfarë diference moshe keni ju me Nikun?

Ledia: Ne kemi 8 vite diferencë moshe, ai është më i madh. Ne jemi 6 fëmijë, 5 motra dhe 1 vëlla.

Ardit Gjebrea: Çfarë ëndrrash ka Niku, vëllai yt?

Ledia: Ai ka qenë marrë gjithmonë me sporte, ka qenë gjithnjë në lëvizje. Dhe ëndrra e tij ka qenë që të vazhdonte, të merrej me palestër. Ai kujdesej shumë për trupin e tij, derisa një ditë pësoi një aksident. Kur po shkonte të ndihmonte prindërit në fshat, atij do t’i duhet të kalonte një autostradë, ku është goditur nga një makinë.  Më vonë kanë lajmëruar babain tim, ai ka qenë i pari që e ka parë. Kur e ka parë, babai ka menduar se nuk ka pasur më shpresa që ai të jetonte, kështu që ka tentuar edhe ai të vetëvritet duke u hedhur nga ura. Megjithatë, ka arritur të mbledhë veten dhe Nikun e kanë dërguar në spitalin e Rrëshenit. Nga atje ai është transportuar për në Tiranë. Niku kishte humbur shumë gjak, për katër ditë me rradhë ne nuk kishim asnjë shpresë që ai do të jetonte

Kaluan disa orë dhe një nga doktorët thirri babain tim dhe i tha që Nikut i duhej prerë njëra këmbë nga gjuri e poshtë sepse ndryshe nuk mund të shpëtonte. Babai e dha autorizimin sepse atë natë më e rëndësishme për ne ishte jeta e tij.

Ledia shpjegoi situatën e vështirë në të cilën gjendej familja e saj kur jeta e djalit të tyre të vetëm ishte në rrezik. Ajo tregon se momenti më i vështirë për familjen ishte kur ata mendonin se si do e priste Niku, humbjen e këmbës së tij.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti i parë kur Niku pas gjithë atij pasioni që kishte për fizikun e tij kuptoi që ishte me një këmbë të prerë, me duart e ngjitura me hekur?

Ledia: Ne prisnim një reagim të tmerrshëm nga ai, duke qenë se do t’i pritej ëndrra në mes.  Por në fakt ndodhi e kundërta, ishte ai që na jepte forcë dhe kurajo ne.

Ledia tregon për momentet e vështira kur Niku ishte në proces rikuperimi. Ai ecte me paterica në atë kohë dhe kishte gjithnjë ndihmë për familjarët. Ledia ishte ajo që qëndronte gjithmonë pranë vëllait duke e ndihmuar të ecë. Bashkë me përkrahjen e familjes dhe asaj të miqve të tij, Niku dita-ditës nisi të rikuperohej derisa një ditë mori  një protezë , të mundësuar nga një shoqatë bamirëse, gjë që ia lehtësonte atij gjendjen.

Pavarësisht asaj çfarë i ndodhi Niku nuk e ka lënë pas pasionin e tij për palestrën dhe fizikun. Ai ka kryer një kurs për instruktor palestre dhe gjithashtu ushtrohet gjashtë ditë të javës pa ndërprerje. Ai kalon pjesën më të madhe duke iu përkushtuar pasionit të tij ndaj dhe ftesën për të qenë pjesë e “Ka një mesazh për ty”, ai e merr në vendin që do më shumë.

Mesazhi në studio: Nik, unë e di që ti ke kaluar një dhimbje shumë të madhe si fizike ashtu edhe shpirtëtore, edhe pse nuk e shfaq asnjëherë. Ti ke qenë forca jonë, na ke dhënë kurajo në momentet e tua më të vështira. Kur ke qenë keq vetë, ke bërë që ne të jemi mirë.

Dua që të vazhdosh gjithmonë, të jesh kështu fortë dhe energjik, siç ke qenë gjithmonë dhe siç je. Do të të mbështesim gjithmonë, do na kesh gjithmonë në krah. Edhe të dua shumë.

Pjesë e programit u bë edhe sportistja e famshme shqiptare Klodiana Shala. Ajo e kishte pranuar me shumë gatishmëri ftesën e Gjebreas për të qenë pjesë e programit.

Shala erdhi në studio për të dhënë një mesazh shumë të vlefshëm por jo vetëm. Sportistja i ofroi një vend pune Nikut në palestrën që ajo ka në pronësi si edhe u shpreh e gatshme për ta ndihmuar Nikun për marrjen e një proteze të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat