Hashani: Nuk ka gëzim më të madh se ta fitosh Kupën në turneun e heroit Ahmet Hoxha

Sporti

Hashani: Nuk ka gëzim më të madh se ta fitosh Kupën në turneun e heroit Ahmet Hoxha

Nga: Kemajl Goca Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 18:51
Hashani: Nuk ka gëzim më të madh se ta fitosh Kupën në turneun e heroit Ahmet Hoxha

Klubi i pingpongut “Ahmet Hoxha” nga Ferizaj, në konkurrencën e femrave, është ndër klubet më të organizuara në Kosovë dhe që po korrë suksese të lakmueshme.  

Kryetrajneri i këtij klubit, Ridvan Hashani, po bën një punë të madhe, ka zbuluar dhe formuar lojtare të talentuara, që sot e bëjnë diferencën në lojën me topin e celuloidit! 

Synimet e Hashanit janë që të rrisë edhe më shumë nivelin e lojës dhe të luftojnë gjithnjë për rezultate kulmore. 

Image

Hashani: Nuk ka gëzim më të madh se ta fitosh Kupën në turneun e heroit Ahmet Hoxha

“Rezultatet janë të shkëlqyera, kemi qene finaliste të Kupës, po ashtu në xhiron e fundit kemi ndeshjen me KPP Drita që vendos edhe për titullin e kampionit.

Ne turneun memorial për nder të heroit të kombit Ahmet Hoxha, klubi ynë arriti që për herë të parë në historinë e saj të fitoj Kupën e kampionit në këtë turne.

Për mua si trajner i  klubit te pingpongut ‘Ahmet Hoxha’, është një rezultat që e kam prit që 20 vjet, shto kësaj që në klub luajnë edhe dy mbesat e heroit Ahmet Hoxha, besoj që e ndjej një kënaqësi shpirtërore”, thotë Hashani për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Më tej flet për kohën e pandemisë, se sa iu ka sjell vështirësi në klubin e tij: “Sa i përket pandemisë, si në çdo sport tjetër edhe pingpongu i ka vështirësitë e veta, keni pasur mungese të stërvitjeve, por besoj që edhe kjo të kalohet sa më shpejtë dhe të kthehemi në gjendje normale.

Klubi ynë tash ka nevojë për sponsor të klubit dhe një ekspert të pingpongut, duke ditur që kemi shumë talent në klub, besoj që me pak investime do të korrim rezultate edhe në arenën ndërkombëtare”.

Hashani ka synime të mëdha me klubin. “Synimi ynë është që sa më shpejtë të fitojmë medalje në arenën ndërkombëtare duke filluar nga medalja ballkanike e duke vazhduar më lartë”, tha ai. Klubi ka disa lojtare shumë të mira.

“Lojtaret tona të dalluara janë Shega Hashani, Jerina Rexhepi dhe Alma Hoxha, të tri lojtaret kanë shumë medalje të fituara ne Kosove por edhe jashtë saj”, nënvizoi Hashani. 

Kryetrajneri tha se ta fitosh Kupën “Ahmet Hoxha” është ndjenjë që nuk përshkruhet. “Nuk ka gëzim më të madh për mua si trajner i klubit të pingpongut ‘Ahmet Hoxha’ femrat, që ku kupën e parë ekipore ta fitojmë pikërisht në turneun e heroit Ahmet Hoxha.

Ndihem shumë i lumtur me këtë rezultat dhe po ashtu edhe një mirënjohje për mua që kam qenë ndër organizatorët e 21 turneve për nder të heroit dhe ish trajnerit të klubit. Përzemërsisht i uroj vajzat që kontribuan për këtë sukses!”, përfundon Hashani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat