​Kosova po merr pjesë në FIA Motor Sport Games, përfaqësohet nga Rea Gashi

Sporti

​Kosova po merr pjesë në FIA Motor Sport Games, përfaqësohet nga Rea Gashi

Më: 27 tetor 2022 Në ora: 12:51
Rea Gashi

Rea Gashi do ta përfaqësojë Kosovën në disiplinën karting sllallom, në konkurrencën e femrave, në FIA Motor Sport Games, që kanë filluar dje dhe do të zgjasin deri më-30 tetor në Marsejë të Francës.

Ekipi i Kosovës udhëtoi të martën për në Francë, ndërsa Rea është shprehur e gatshme për këtë sfidë.

“Për mua është hera e parë që marrë pjesë në një garë ndërkombëtare dhe kaq prestigjioze. Do të jetë një përvojë interesante dhe e rëndësishme për karrierën time në të ardhmen”, ka thënë Gashi për faqen zyrtare të FASK-ut.

Pavarësisht konkurrencës së fortë, ajo beson në paraqitje të mirë.

“Që nga momenti kur e kam ditur se do jem unë garuesja që do ta përfaqësoj Kosovën në Francë, jam përpjekur të përgatitem në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj të paraqitem mirë, e po ashtu shpresoj që edhe gjenetikisht të marrë diçka nga babi (Gazmend Gashi), duke ditur pasionin dhe karrierën e tij në automobilizëm”, ka shtuar Rea.

Bashkë me të, në Marsejë kanë shkuar edhe Baran Karabeg, Ermira Topalli, Valon Jaha dhe Visar Gjikolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat