Calja e mbyll Botërorin pa medalje

Sporti

Calja e mbyll Botërorin pa medalje

Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 13:28
Calja e mbyll Botërorin pa medalje

Briken Calja, përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Kampionatin Botëror të peshëngritjes që po mbahet në Bogota të Kolumbisë, ka përfunduar konkurrimin e tij në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Calja garoi në Baterinë A të kategorisë së peshave 73 kg, por nuk arriti që të futej në zonën e medaljeve, madje shtërmenasi nuk u klasifikua dot as në dygarësh, pasi dështoi në stilin e shtytjes.

Kujtojmë se 32-vjeçari vinte në këtë kompeticion madhor të shtangës pasi kishte lënë prapa krahëve dëmtimim e Europianit të disa muajve më parë, ndërsa kishte treguar një formë shumë të mirë në testet para Botërorit.

GARA – Calja e filloi stilin e shkëputjes me 150 kg, por nuk arriti që ta kalonte me sukses provën e parë. Gjithsesi këtë rezultat ai arrin ta realizojë mjaft mirë në tentativën e dyte.

Në të tretën kërkoi medaljen me 154 kg, por nuk ia doli që ta ngrinte, duke e mbyllur kështu shkëputjen me 150 kg për tu renditur i nënti.

Duhet theksuar se  150 kg regjistruan edhe sportistët e klasifikuar në vendet 6, 7 dhe 8, por u renditën më lart se peshëngritësi kuqezi pasi e kishin realizuar para tij këtë peshë.

Në stilin e shtytjes, Calja dështoi në provën e parë me 185 kg, ndërsa më pas nuk e vazhdoi më garën, duke mos u klasifikuar dot në dygarësh.

Kujtojmë se Briken Calja vinte në këtë aktivitet si kampion në fuqi i botës në stilin e shkëputjes dhe nënkampion në shtytje e dygarësh, pas rezultateve historike të regjistruara një vit më parë në Uzbekistan.

MEDALISTËT – Për sa u përket medaljeve në katgorinë 73 kg, në stilin e shkëputjes të artën e fitoi indoneziani Rizki Juniansyah me 155 kg.

E argjendta shkoi për bullgarin Andrev Bozhidar me 154 kg dhe e bronzta për kazakistanasin Alexey Churkin me 153 kg.

Në stilin e shtytjes ishte një tjetër indonezian që tronditi, Rahmat Erwin Abdullah, i cili vendosi rekord të ri botëror me 200 kg, duke bërë të tijën medaljen e arit.

Argjendi u fitua nga bashkëkombësi e tij Juniansyah me rezultatin 192 kg, ndërsa medaljen e bronzit e mori Churkin me 190 kg.

Ndërkohë për sa i përket dygarëshit, kampion u shpall Abdullah me rezultatin total 352 kg. Ndërsa podiumi u plotësua nga Juniansyah dhe Churkin, të cilët regjistruan respektivisht 347 dhe 343 kg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat