​Kurti: Organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë do të shënojë moment historik

Sporti

​Kurti: Organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë do të shënojë moment historik

Më: 4 prill 2023 Në ora: 16:53
Albin Kurti

Kosova ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen ne vitin 2030.

Kryeministri e Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se organizimi i këtyre lojërave në Kosovë do të shënojë moment historik, derisa bëri të ditur se janë pajtuar me Shqipërinë që sportet që kanë të bëjnë me bregdetin të zhvillohen në Shqipëri.

Kurti: Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë do të shënojë moment historik

“Kam kënaqësinë e veçantë që të ndaj me ju lajmin e shkëlqyeshëm se Kosova zyrtarisht është shteti kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Sporti zë vend të veçantë në zemrën e çdo qytetari të Kosovës e kjo si rezultat i talentit dhe sukseseve të shumta të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare. Përderisa e tërë bota sheh dhe dëgjon për këto rezultate, ne jemi shumë të lumtur që këtë organizim madhështor ta sjellim afër sportistëve dhe qytetarëve të Kosovës.. Organizimi i Lojërave Mesdhetarë 2030 në Kosovë do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor dhe jo vetëm...Përkundër që Kosova e rrethuar me dhe e me male për të gjitha sportet të cilat kërkojnë qasje në det, jemi pajtuar me Shqipërinë se do të organizohen në bregdetin shqiptar.”, tha Kurti.

Kurse, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi tha se Kosova e ka dëshmuar në shumë raste para organizatave ndërkombëtare sportive se kanë gatishmëri dhe kapacitet për të organizuar një ngjarje të tillë kaq të madhe.

Krasniqi: Këto lojëra do ta rrisnin promovimin e Kosovës përmes sportit

“Këto lojëra do të ishin platformë ideale për të përshpejtuar të gjitha proceset e zhvillimit të sportit në Kosovë në përputhje me strategjinë kombëtare të sportit e cila është në përfundim, duke filluar nga infrastruktura sportive, fuqizimi i burimeve njerëzore, zhvillimi i lëvizjes vullnetare dhe promovimi i Kosovës përmes sportit në të gjithë botën. Komiteti Olimpik i Kosovës ka punuar fuqishëm ndër vite për statusin e saj në lëvizjen olimpike dhe ka krijuar integritet dhe kredibilitet të duhur në të gjitha instancat ndërkombëtare për t’iu besuar organizimi i një ngjarje të tillë ndërkombëtare dhe multisportive.”, theksoi Krasniqi.

Zëvendësministrja e Ministrisë së Sportit Daulina Osmani tha se një projekt kaq gjigant i jep Kosovës mundësinë që të vendoset në hartën e organizimit të lojërave multisportive si dhe përmes kësaj do të mundësohej zhvillimi më i shpejtë i infrastrukturës sportive në vend.

Osmani: Ky projekt e vendos Kosovën në hartën shteteve të organizimit të lojërave multisportive

“Padyshim se ky projekt gjigant e kompleks përveç ndikimit tejet të madh që do të ketë në promovimin e imazhit shtetëror të Kosovës dhe vendosjes së Kosovës në hartën e shteteve të organizimit të lojërave multisportive, njëkohësisht do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madh në zhvillimin e sportit përbrenda vendit tonë. Përveç ndikimi padyshim infrastrukturor, ndoshta edhe pjesa më e rëndësishme për zhvillim të sportit në vend kulturor, social, njëkohësisht do të ketë impakt tejet të madh që sportistët tonë, kampionët tonë olimpik e botëror të kemi mundësinë që gjithë së bashku t’i ndjekim në garat që do të zhvillohen në shumicën e komunave të Kosovës.”, tha Osmani.

I pari i Qeverisë së Kosovës gjithashtu theksoi se mbështetja për sportin është rritur 200 përqind krahasuar me vitet 2019 dhe 2020 dhe se buxheti i federatave është rritur nga 3 milionë në mbi 8 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat