Nazmi Gashi: Thirrja për kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor të FKK-së më 7 tetor, është e bazuar në Statut

Sporti

Nazmi Gashi: Thirrja për kuvend të jashtëzakonshëm zgjedhor të FKK-së më 7 tetor, është e bazuar në Statut

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 5 tetor 2023 Në ora: 16:33
Nazmi Gashi

Të shtunën me 7 tetor do të mbahet Kuvendi zgjedhor i jashtëzakonshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës.

Kuvendi do të mbahet në hotelin “Siirius” në Prishtinë.

Nazmi Gashi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura.

Gashi ka folur për të gjitha nga pak dhe sa klubet kanë të drejtën e votës me 7 tetor. 
 
“Bota sot”: A do të mbahet kuvendi zgjedhor i jashtëzakonshëm me 7 tetor?

Nazmi Gashi: Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor i Federatës së Karatesë së Kosovës i thirrur nga Sekretaria e FKK-së do të mbahet me datën 7 Tetor 2023 duke filluar nga ora 12:00, në ambientet e hotel ‘Sirius’ në Prishtinë. 

“Bota sot”: Cilat do të janë veprimet që do ndërmerren për këtë situatë që po ndodhë?

Nazmi Gashi: Federata e Karatesë e Kosovës nuk ka ndërmarrë e as nuk pritet të ndërmarr ndonjë veprim lidhur me situatën aktuale, ne jemi duke vazhduar aktualisht me pjesëmarrjen e FKK-së në garat ndërkombëtare, dhe të gjitha zhvillimet sikurse thirrja e kuvendit të jashtëzakonshëm Zgjedhor për datën 7 Tetor 2023, janë derivate të Statutit të FKK-së. 

“Bota sot”: Kush do të janë kandidatë?

Nazmi Gashi: Thirrja për Kuvend të Jashtëzakonshëm Zgjedhor me datën 7 Tetor 2023, është thirrje e bazuar në Statut, ku fton të gjitha klubet me të drejtë vote të marrin pjesë, secili nga anëtarët me të drejtë vote kanë të drejtë të zgjedhin apo edhe të jenë të zgjedhur.

Bashkë me thirrjen është precizuar edhe koha për aplikime për pozitat të cilat i zgjedh Kuvendi, afati për aplikim ka qenë deri me datën 5 Tetor 2023 në orën 16:00, dhe të vetmen kandidaturë për Kryetar të FKK-së e kemi pranuar nga z. Besart Baruti. 

“Bota sot”: Pse mendoni se keni të drejtë si krahu i Besart Barutit?

Nazmi Gashi: Ne si Federatë Sportive shumë e suksesshme ndër vite, e këto suksese tashmë i kemi të dëshmuara, nuk duhet që në opinion të njihemi si krahu i një individi apo i ndonjë individi tjetër.
Kuvendarët e FKK-së me datën 4 korrik 2023, kanë bërë zgjedhjen e tyre me votë, në një proces demokratik, dhe kanë zgjedhur për Kryetar të FKK-së z. Besart Baruti.

Kryetari i FKK-së z. Besart Baruti, po ndihmon FKK-në këto procese që nuk janë të lehta, dhe siç është potencuar edhe më herët nëpër prononcime tjera, FKK-ja është duke kaluar nëpër një ngërç financiar, dhe z. Besart Baruti, po ndihmon federatën për të realizuar Kalendarin Zyrtarë të Garave Ndërkombëtare 2023.

Pa ndihmën e tij, FKK-ja nuk do të kishte mundur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sepse për ta paraqitur përfaqësuesen e FKK-së në një arenë ndërkombëtare, janë të nevojshme disa përgatitje që kanë kosto buxhetore.

Së pari për pjesëmarrësit në Kampionatin Ballkanik të Karatesë është organizuar një Kamp Stërvitor 8 ditorë, njejtë do veprohet me pjesëmarrësit në Kampionatin Botërorë për senior që mbahet në fund të muajit Tetor 2023 në Budapest, Hungari dhe pjesëmarrësit në Kampionatin Ballkanik për Kadet, Junior dhe U21, dhe organizimi i  Kampeve Stërvitore është domosdoshmëri për përgatitjen e garuesve. 

Secila nga këto gara që janë lartëcekur ka një kosto buxhetore minimum 30 mije euro, dhe për të gjitha këto shpenzime është përkujdesur dhe po përkujdeset Kryetari i FKK-së z. Besart Baruti. 

Gjithashtu, ka kryer të gjitha obligimet ndaj stafit administrative të FKK-së, të cilët janë të kontratuar nga FKK-ja për punë administrative. 

“Bota sot”: Ata thonë se janë 44 klube ndërsa në FKK e juaj janë 52, cila është e vërteta?

Nazmi Gashi: E drejta e të qenurit anëtarë në FKK dhe e drejta e votës në Kuvendet e Rregullta dhe të Jashtëzakonshme të FKK-së janë të rregulluara me Statutin e FKK-së, Statut ky i miratuar në Kuvendin e FKK-së me te cilin Statuti gjithashtu jemi rilicencuar nga MKRS-ja me datën 10 Mars 2023. 

Për të qenë anëtarë i rregullt i FKK-së, dhe për të pasur të drejtë vote në kuvend, duhet që klubet të plotësojnë kriteret që janë të cekura në Statut, andaj bazuar në Statutin e FKK-së, të drejtë vote në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor të FKK-së me datën 7 Tetor 2023, kanë 51 klube.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat