Pas dygolëshit ndaj Pescarës që i dha Interit fitoren e parë në këtë sezon, Mauro Icardi ka konfirmuar rinovimin e kontratës me skuadrën zikaltër. Emri i kapitenit ishte një nga më të përfolurit në merkaton e verës, me Napolin që ishte gati të bënte një cmenduri financiare për ta transferuar në San Paolo, por Interi vendosi ta mbajë në skuadër 23-vjecarin argjentinas duke i propozuar Icardit zgjatjen e marrëveshjes aktuale me një pagë dukshëm më të lartë. ”
Kam folur me shoqërinë kemi sistemuar gjithcka përsa i përket rinovimit të kontratës dhe jam i qetë për këtë pjesë”, deklaroi Icardi në përfundim të sfidës ndaj Pescarës. Më pas kapiteni i Interit foli edhe për paraqitjen e skuadrës në sfidën e fundit. ” Merita për këtë fitore është e të gjithë skuadrës, që luftoi deri në castet e fundit për të marrë tre pikët.
Krijuam shumë raste por topi nuk donte të hynte në portë, jam i kënaqur që në fund erdhën dy golat e mi dhe dolëm me pikë të plota nga kjo transfertë, shtoi më pas Mauro Icardi. Më pas sulmuesi dha një mendim edhe për trajnerin Frank De Boer: ” Ne duam të luajmë sa më lart të jetë e mundur, po përpiqemi të zbatojmë në fushë detyrat që na jep trajneri, i cili për mendimin tim po bën një punë shumë të mirë”.
Për ndeshjen e ardhshme ndaj Juventusit, Icardi shtoi:” Bardhezinjtë janë skuadra për tu mundur, ata kanë fituar gjithcka në vitet e fundit dhe mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”.