MotoGP, Iannone më i shpejti në Sepang

Sporti

MotoGP, Iannone më i shpejti në Sepang

Më: 1 shkurt 2017 Në ora: 00:44
Iannone

Dita e dytë e testeve të MotoGP në cirkuitin e Sepangut në Malajzi i buzëqeshi Suzukit. Pas provave të para të kushtëzuara nga pista e lagur, Andrea Iannone ishte më i shpejti, duke regjistruar kohën 1 minut 59 sekonda e 452 të mijëtat.

Pas shpinës së pilotit italian, i cili po i befason të gjithë me lehtësinë me të cilën u përshtat me motorin, u pozicionua Viñales me Yamaha, afro 4 të dhjetat më i ngadaltë dhe Bautista, që me Ducatin e tij e ndaloi kronometrin me një kohë 767 të mijëtat më të lartë se kryesuesi.

Edhe dy pilotët spanjollë, të cilët u shndërruan menjëherë në protagonistë në pistë, konfirmuan se nuk kanë aspak nevojë për kohë për tu përshtatur me motorët e rinj.

Vendi i katërt për Valentino Rossi-n, i distancuar me tetë të dhjetat nga Iannone. “Doktori” u paraqit në pistë me risinë më të madhe të testeve nga Yamaha, që devijoi rregullin e heqjes së krahëve nga pjesa e përparme e motorit.

Skuadra e Rossit, ashtu siç u zbulua edhe nga këto fotografi, ideoi integrimin e krahëve të fshehur në motorin M1. Një zgjidhje e aprovuar sepse është cilësuar brenda rregullores, që tashmë pritet të shkaktojë një reaksion zinxhir nga skuadrat e tjera, të cilat do të marrin kundër-masat në garën për titullin.

Vetëm vend i tetë për Jorge Lorenzon, që ishte i distancuar me më tepër se një sekondë nga kreu dhe po vazhdon përshtatjen me Ducatin, ndërsa Marc Marquez, edhe pse ishte më i shpejti në pistën e lagur me motorin Honda, e mbylli ditën e dytë të testeve në vendin e dhjetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat