Ramadani: Kombëtaren e kam ëndërruar që fëmijë, dua të jem titullar

Sporti

Ramadani: Kombëtaren e kam ëndërruar që fëmijë, dua të jem titullar

Më: 3 nëntor 2017 Në ora: 23:34
Ylber Ramadani

Ylber Ramadani mesfushori i Veljes në ligën e dytë të futbollit danez ishte një nga risitë e listës së të grumbulluarve nga trajneri Christian Panucci për miqësoren që kombëtarja shqiptare do të zhvillojë ndaj Turqisë në Antalia. 21-vjeçari nga Ferizaj i cili aktualisht është pjesë edhe e kombëtares Shpresa, në një intervistë në Supersport nuk e ka fshehur lumturinë që është bërë pjesë e përfaqësues A, duke nënvizuar se një të ardhme të afërt shpreson që të jetë një titullar fiks në skuadrën e Panuccit.

“Ishte një gëzim shumë i madh për mua, sepse e kam menduar që fëmijë. Jam shumë i lumtur që ëndrra ime u bë realitet. Mendoj se konkurrenca është e vështirë, por unë gjithmonë do të mundohem të bëj punën time më së miri. Me punë dhe sakrificë do ia dal. Në skuadër ka shumë lojtarë cilësorë, por unë do vazhdoj hap pas hapi, pse jo të luaj një ditë nga minuta e parë”.

Te Velje që drejtohet nga ish trajneri i Partizanit Adolfo Sormani, Ramadani në vetëm pak kohë ka marrë çelësat e mesfushës në dorë dhe është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë të ekipit. Ish lojtari i të “Kuqëve” thekson se e ka merituar ftesën për miqësoren ndaj Turqisë falë formës që ka shfaqur gjatë kësaj periudhe.

“Te Partizani kam qenë në formën time më të mirë, por edhe këtu në Danimarkë kam luajtur disa ndeshje të mira. Mendoj se kjo është edhe arsyeja e ftesës. Kam punuar shumë për të arritur këtë moment”.

Ramadani fillimisht do të luajë në datën 10 nëntor sfidën kualifikuese ndaj Irlandës së Veriut me përfaqësuesen Shpresa për tiu bashkuar më pas kombëtares së madhe për duelin ndaj Turqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat