Drejtuesit e KOK-ut takuan kryetarët e grupeve parlamentare, shprehën shqetësimin për gjendjen e klubeve

Sporti

Drejtuesit e KOK-ut takuan kryetarët e grupeve parlamentare, shprehën shqetësimin për gjendjen e klubeve

Më: 4 dhjetor 2017 Në ora: 18:01
Drejtuesit e KOK-ut takuan kryetarët e grupeve parlamentare, shprehën shqetësimin për gjendjen e klubeve

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti z. Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, z. Shasivar Haxhijaj, kanë takuar ndarazi kryetarët e grupeve parlamentare, z. Glauk Konjufca, LVV, z. Memli Krasniqi, PDK, z. Ahmet Isufi, AAK dhe z. Bilall Sherifi, Nisma.
Në takimet e mbajtura të hënën në zyret e Kuvendit të Kosovës, krerët e KOK-ut kanë shprehur shqetësimin për gjendjen momentale të klubeve sportive në Kosovë, ku shumë sosh janë në rrezik të shuarjes,.
Z. Hasani dhe z. Haxhijaj kërkuan nga bashkëbiseduesit që këtë shqetësim ta bartin edhe në mbledhjen e nesërme të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhet leximi i parë i buxhetit për vitin 2018, duke kërkuar ngritje të buxhetit për sportin nëpër komunat.
Një konstatim të gjendjes së tillë në klubet tona, e kishte bërë Bordi Ekzekutiv i KOK-ut në mbledhjen e 12-të, ku kishte kërkuar nga kryetarët e rinj të komunave, të rrisin buxhetin për klubet sportive.
Kërkesa më pas ishte mbështetur fuqishëm edhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, ministri i MKRS-së, z. Kujtim Gashi, etj.
Po ashtu, KOK-u kërkoi nga kryetarët e grupeve parlamentare, që kjo rritje e buxhetit të ndodh sa më parë, me shpresën se pas implementimit të Ligjit për Sponsorizim, kompanitë do të investojnë më shumë në sport.
Nga ana tjetër, shefat e grupeve parlamentare u pajtuan se duhet të rritet buxheti nga kryetarët e komunave për klubet, si dhe premtuan se do t’i mbështesin shqetësimet e drejta të KOK-ut, duke ngritur zërin në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, ku pritet të kalojë ligji i buxhetit në leximin e parë.
Ata vlerësuan lartë të arriturat në sport, me të cilat është duke u krenuar vendi ynë.
Me grupet tjera parlamentare dhe me të gjithë kryetarët e komunave, drejtuesit e KOK-ut pritet të takohen në ditët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat