Ilir Latifi në UFC: Shqiptari arrin fitoren më të rëndësishme në karrierë

Sporti

Ilir Latifi në UFC: Shqiptari arrin fitoren më të rëndësishme në karrierë

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 09:15
Ilir Latifi

24 shkurti i 2018 do të jetë një nga datat që Ilir Latifi nuk do ta harrojë kurrë, e themi këtë pasi ai ka bërë hapin e parë serioz drejt ëndrrës së madhe.

Sportisti i arteve të përziera marciale befasoi të gjithë duke arritur fitore ndaj Ovince Saint Preux në UFC, edhe pse ky i fundi shikohej nga të gjithë si favorit.

Shqiptari vodhi gjithë vëmendjen në ‘Amway Center’ të Orlandos, duke i treguar të gjithëve edhe njëherë herë se synimet e tij janë të mëdha.

Latifi i prirë nga dëshira e madhe për triumf, arriti fitore ndaj ‘OSP’ në rundin e parë, duke vendosur kundërshtarin në gjumë pas një shtrëngimi të fuqishëm dhe kështu gjyqtari ndaloi luftën.

Vlen të theksohet se Ovince është një nga emrat më të mëdhenj në botën e sporteve luftarake MMA dhe UFC, para luftës ishte i renditur në vendin e pestë në listën e më të mirëve dhe vinte nga tri fitore radhazi.

Që triumfi të ketë një shije më të mirë, fituesit në fund i takuan 50 mijë dollarë (40 mijë euro), por kjo është vetëm një shumë simbolike nëse e krahasojmë me rrugën që i është hapur Latifit.

Latifi prezantohet si sportistë i Suedisë, por ai asnjëherë nuk harron prejardhjen e tij, ai gjithmonë falënderon përkrahësit e tij nga Shqipëria dhe Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat