Kampioni olimpik porosi FSHF-së: Respektoni gazetarët jashtë Shqipërisë, me 20 bileta më shumë nuk varfëroheni

Sporti

Kampioni olimpik porosi FSHF-së: Respektoni gazetarët jashtë Shqipërisë, me 20 bileta më shumë nuk varfëroheni

Më: 12 mars 2018 Në ora: 16:25
Shaban Tërstena

Në turneun ndërkombëtarë në futboll të vogël me gazetarët sportiv, “Pano na bashkon”, që u mbajt në Tetovë, në mesin e personaliteteve sportive dhe jo vetëm i ftuar ishte edhe kampioni olimpik në mundje Shaban Tërstena.

Në fjalën e tij të rastit, ai përveç që përgëzoi organizatorët për aktivitetin sportiv, pati edhe një porosi deri te Federata e Futbollit e Shqipërisë dhe te qeveria shqiptare.

“Fillimisht them se është kënaqësi të jesh në mesin tuaj. Ju uroj për këtë ide dhe organizim fantastik. Ju përshëndes të gjithë gazetarëve nga Shqipëria, Kosova, Ulqini, Presheva, Maqedonia, Gjermania e të tjerë. Më vjen mirë që ju shoh të gjithëve bashkë dhe që kujtoni një sportist siç është Panajot Pano. Tani kam një porosi që besoj se do t’ia përcillni Federatës shqiptare të futbollit, por pse jo edhe qeverisë shqiptare. Para dy vite e gjysmë isha në Elbasan për të ndjekur ndeshjen eliminatore për evropianin në Francë mes Shqipërisë dhe Serbisë dhe disa orë para fillimit të ndeshjes disa gazetarë erdhën tek unë dhe mu lutën për bileta. Unë isha i pafuqishëm për të ndihmuar. Prandaj porosia ime është që të njoftoni FSHF-në që gazetarëve jashtë Shqipërisë t’ju siguroni bileta për Kombëtaren. Me 20 bileta nuk do të varfërohet FSHF-ja, por as Qeveria shqiptare. Janë këta gazetarë që 365 ditë shkruajnë dhe mendojnë për të thurur fjalët më të bukura për Kombëtaren. Faleminderit”, deklaroi Shaban Tërstena, fjalimi i të cilit u përshëndet me duartrokitje nga të pranishmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat