KOK-u vlerësoi lart pjesëmarrjen në LOD PyeongChang 2018

Sporti

KOK-u vlerësoi lart pjesëmarrjen në LOD PyeongChang 2018

Më: 13 mars 2018 Në ora: 13:22
KOK-u vlerësoi lart pjesëmarrjen në LOD PyeongChang 2018

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka mbajtur të hënën mbrëma mbledhjen e 17-të të saj, në të cilën u shqyrtuan pika të shumta të Rendit të Ditës.
Presidenti, Besim Hasani, informoi Bordin Ekzekutiv për pjesëmarrjen e parë të ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018, duke theksuar se janë arritur pritshmëritë e KOK-ut. Presidenti Hasani raportoi edhe për takimet me personalitete të ndryshme, me theks të veçantë takimin me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
U raportua edhe për Festivalin Olimpik PyeongChang 2018 dhe Panairin e Sportit 2018, ku njëzëri u vlerësua lartë ideja dhe organizimi i një Festivali të tillë, që mblodhi dhjetëra mijëra fëmijë. Presidenti Hasani, tha se KOK-u ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mira në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe se një Festival i tillë do të organizohet edhe për LO Tokyo 2020.
Bordi shqyrtoi edhe përgatitjet për shpalljen e Laureatëve të Vitit 2017, ku miratoi listën e laureatëve të përzgjedhur nga juria profesionale. Ceremonia mbahet nesër (e mërkurë) në Restaurantin Golden Imperial në Prishtinë.
Sa i përket kategorizimit të sporteve, sportistëve dhe trajnerëve, BE i KOK-ut zgjodhi Komisionin për Ankesa, i cili përbëhet nga Ramadan Selimi, Agron Mala dhe Besire Domaniku. 
Bazuar në strategjinë e KOK-ut vazhdohet me ngritjen e kapaciteteve të administratorëve të sportit, ku nga 23-25 mars u vendos të mbahet kursi për administratorët e sportit për Federatën e Tenisit të Kosovës.
Muaji prill pritet të jetë po ashtu i ngjeshur me aktivitete. Prej 6-8 prill do të organizohet Moduli i parë i kursit, ASMC. Të njëjtën ditë (6 prill), KOK do të vazhdojë traditën e organizimit të Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Paqe dhe Zhvillim, derisa më 12 dhe 13 prill do të organizohet për herë të parë në Prishtinë, Forumi Rajonal i SIGA-s.
Po ashtu, do të organizohet edhe konferenca e Parë “Shkenca dhe Sporti”. Bordi u njoftua edhe për përgatitjet për fillimin e projektit të kuizit për njohjen dhe ruajtjen e vlerave olimpike me nxënësit e shkollave fillore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat