Drejtuesit e KOK-ut takuan kryetarët e Komunave të Pejës, Istogut e Klinës...

Sporti

Drejtuesit e KOK-ut takuan kryetarët e Komunave të Pejës, Istogut e Klinës...

Më: 20 mars 2018 Në ora: 19:24
Driton Kuka mesin e diskutuesve

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti z. Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, z. Shasivar Haxhijaj, kanë zhvilluar sot takime me kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, kryetarin e Komunës së Istogut, z. Haki Rugova, kryetarin e Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, si dhe bizneset dhe klubet e këtyre komunave. Në takim me të parin e Klinës, z. Zenun Elezaj, ishte edhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, z. Ramadan Selimi.

Gjatë takimeve, drejtuesit e KOK-ut kërkuan nga kryetarët e Komunave ngritjen e buxhetit për sport e posaçërisht për klubet, për të cilat BE i KOK-ut, muaj më parë kishte konstatuar se ndodhen në gjendje të mjerueshme. Presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, njoftuan kryetarët e Komunave edhe me përfitimet e shumta që sjell Ligji për Sponsorizim.

Me kryetarin e Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, presidenti Hasani nënshkroi memorandum bashkëpunimi, në bazë të të cilit Komuna e Pejës do të bëhet bashkëfinancuese me KOK-un për bursistët nga Peja, të përzgjedhur nga BE i KOK-ut, kandidat për të fituar normën olimpike Tokyo 2020.

Si kryetari Muhaxheri, ashtu edhe nga drejtuesit e Komunave të Istogut dhe Klinës, mirëpritën ngrohtësisht krerët e KOK-ut, derisa shprehën gatishmërinë për të ndihmuar edhe më shumë klubet sportive, derisa mirëpritën jashtëzakonisht shumë hyrjen në fuqi të Ligjit për Sponsorizim.

Pas takimeve me kryetarët e komunave, presidenti Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Haxhijaj, zhvilluan takime me biznesmenët dhe klubet sportive të këtyre Komunave, ku shpalosën në detaje Rregulloren që përcakton kriteret, procedurat dhe formën për vërtetimin e sponsorizimit në sport.

Në të tria komunat, pjesëmarrja ishte masive, ku morën pjesë edhe kontribuues të madh të sportit, ndërsa në Pejë i pranishëm ishte edhe kampioni olimpik, trajneri Driton Kuka.

Pjesëmarrësit u interesuan më shumë për procedurat e sponsorizimit dhe përfitimit të klubeve dhe vetë sponsorëve, si dhe dorëzimit të kontratës në MKRS dhe më pas në ATK. Siç dihet, Ligji për Sponsorizim, u mundëson bizneseve që investojnë në sport, 30 për qind lehtësira nga tatimi në fitim. Të gjithë njëzëri u pajtuan se ky është njëri prej Ligjeve më të mira në botë sa i përket sportit dhe përfitues janë sportistët, klubet, federatat, KOK-u, por edhe vetë bizneset.

Takimet me kryetarët e komunave vijnë pas atyre të mbajtura nga drejtuesit e KOK-ut me shefat e grupeve parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat