SHGSK diskuton problemin e gazetarëve dhe sportistëve të Kosovës në Bruksel

Sporti

SHGSK diskuton problemin e gazetarëve dhe sportistëve të Kosovës në Bruksel

Më: 8 maj 2018 Në ora: 17:15
SHGSK diskuton problemin e gazetarëve dhe sportistëve të Kosovës në Bruksel

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës po merr pjesë në punimet e Kongresit të 81-të të Asociacionit Ndërkombëtar të Gazetarëve Sportivë (AIPS) që po zhvillohet në Bruksel të Belgjikës. SHGSK-ja po përfaqësohet nga drejtuesit e saj Arlind Grantolli, Edmond Thaçi dhe Arlind Sadiku. Në ditën e parë të Kongresit, derisa po debatohej rreth Lojërave Evropiane Minsk 2019, kryetari Grantolli ka adresuar para kolegëve nga gjithë bota njërin nga problemet më të mëdha me të cilin ballafaqohen gazetarët dhe sportistët nga Kosova, përcjelljen e ngjarjeve sportive ndërkombëtare apo pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në gara të ndryshme, siç ishte rasti i Donjeta Sadikut në Indi apo Lojërat Mesdhetare në Spanjë.                                                         

Të vetëdijshëm që këto raste më shumë janë politike pasi kryesisht vijnë nga shtete të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, brenga e Bordit të SHGSK-së është që mos t’i mohohet asnjë gazetari apo sportisti të Kosovës, pjesëmarrja në ngjarjet e mëdha, siç edhe po ndodh në disa raste.                                                             

Kryetari i AIPS Europe, Charles Camenzuli, theksoi se organizata që ai drejton do të mundohet të ndihmojë në çfarëdo rasti apo forme gazetarët kosovarë për të mos pasur pengesa të tilla sa herë që i kërkohet.               

Ndryshe në këto punime të Kongresit, gjatë të martës bënë prezantime para delegatëve të AIPS-ës, kandidatët zyrtarë për të organizuar botërorin e futbollit në vitin 2026, Maroko dhe treshja e shteteve SHBA-ja, Meksika dhe Kanadaja, që kandidojnë së bashku.  

Interesimi nga gazetarët ishte i madh për këtë temë, duke shtruar pyetje për drejtusit e lartë organizatorë të dy kandidatëve të cilët patën prezantime të shkëlqyera në çdo aspekt.

Prezantimi i dytë për ditën e martë ishte tema tjetër shumë interesante “FIFA-VAR Technology” e cila zgjoi interesim të madh te gazetarët nga mbarë bota. Për aktualisht temën më të nxehtë të futbollit në botë foli drejtori i FIFA-s për Referim, Massimo Busacca si dhe Kryetari i Departamentit për Teknologji Inovative pranë FIFA-s, Johannes Holzmuller.

Çështja e fundit që u debatua ishte se si gazetarët sportivë duhet bërë raportimin e ngjarjeve drejtë, shpejtë dhe të pandikuar nga faktorë të jashtëm. Në panel morrën pjesë Juan Ignacio Gallardo - kryeredaktor i gazetës Marca, Juan-Baptiste Renet – kryeredaktor i gazetës L’Equipe, Lee Martin – zv. president i Getty Images dhe Gianni Merlo president i AIPS-ës dhe kolumnist në Gazzeta dello Sport. Kongresi vazhdon punimet të mërkurën me tema tjera interesante.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat