Edhe Shqipëria në Lojërat Mesdhetare 2018

Sporti

Edhe Shqipëria në Lojërat Mesdhetare 2018

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 19:14
Ilir Meta ia dorëzon flamurin Izmir Smajlajt

Shqipëria është gati për startin e Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”. Ashtu siç ndodh zakonisht, përpara evenimentit ekipi kuqezi u prit nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, për të zhvilluar edhe ceremoninë e dorëzimit të Flamurit Kombëtar.

Në mesazhin për sportistët, kreu i shtetit shprehu besim të plotë se ekipi olimpik i ka të gjitha shanset që falë përkushtimit pasionit dhe talentit të regjistrojë rezultate shumë të mira në Spanjë, ndërsa nuk e fshehu zhgënjimin për mungesën e madhe të Shqipërisë, sportin e peshëngritjes.

“Është kënaqësi e veçantë që t’ju pres të gjithëve sot në prag të Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në Spanjë dhe me këtë rast t’ju uroj suksese në këto Lojëra, për të cilat ju jeni përgatitur për një kohë të gjatë me një dëshirë dhe me një qëllim, për të përfaqësuar sa më mirë Shqipërinë dhe për të përfaqësuar në mënyrën më dinjitoze flamurin tonë kombëtar.

Nuk jam shumë i lumtur që peshëngritja nuk merr pjesë në këto Lojëra, sepse do të isha shumë i qetë për medaljet që do të vinin, por përsëri kam besim se pavarësisht nga këto arsye përsëri këtu kemi mjaft sportiste dhe sportistë, të cilët i kanë të gjitha mundësitë për të sjellë në vend medalje dhe vende nderi. Shqipëria ka arritur në Lojërat Mesdhetare historikisht rezultate shumë të mira dhe shumë pozitive në të gjitha sportet dhe unë besoj që edhe në këto Lojëra ne i kemi të gjitha shanset falë përkushtimit, pasionit dhe talentit tuaj që përsëri të kemi rezultate shumë të mira”.

Në Lojërat Mesdhetare, flamurmbajtësi i Shqipërisë do të jetë rekordmeni i atletikës, kampion i Europës dhe Ballkanit në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj.

“Faleminderit shumë z. President! Është një nder dhe krenari për mua që të mbaj flamurin tonë kombëtar. Shpresoj që e gjithë skuadra olimpike të sjellë rezultate sa më pozitive dhe sa më shumë medalje”.

Në Terragona 2018 Shqipëria do të përfaqësohet me 61 sportistë në 13 disiplina sportive. Për herë të parë vendi ynë do të përfaqësohet në hark dhe kanoe, pa harruar edhe taekuondo që tashmë është sport olimpik, por edhe karate dhe xhudo. Në listë mungon futbolli, ndërsa volejbolli është me ekip të plotë për meshkuj dhe femmra. Lojërat Mesdhetare do të zhvillohen nga data 22 qershor deri më 1 korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat