Premiera ”Don Kishoti” sot në Teatrin Kombëtar

Teatri

Premiera ”Don Kishoti” sot në Teatrin Kombëtar

Më: 11 nëntor 2016 Në ora: 18:51
“Don Kishoti i Mançës”

Të dramatizosh librin e librave, “Don Kishotin e Mançës”, dhe ta sjellësh atë në skenën teatrale për herë të parë është një sfidë, që regjisori Klajdi Ymeri do ta paraqesë para publikut. Por një Don Kishot, para se të jetë komedi është njeri.

“Jam mbështetur në veprën e Don Kishotit të Servantesit, por është një vepër apo një Don Kishot sipas idesë sime”, tha regjisori Klajdi Ymeri.

Në një rrugëtim për t’u kurorëzuar kalorës dhe për të fituar zemrën e të bukurës së tij Dylqinjë, aktori Romir Zalla rrëfen punën me personazhin.

“Është një njeri më shumë idealist, një njeri që beson më shumë në vlera, në virtyte, në gjëra të larta, dhe kjo e bën në sytë e të tjerëve një njeri alien, të çuditshëm”, tha aktori Romir Zalla.

Një dialog në kornizat e komedisë nuk do kishte kuptim pa fshatarin besnik, Sanço Panço.

“Ndërthurja e halleve që kanë këto njerëz, pra Don Kishoti me Sançon, çifti i dashuruar, dhe përplasja e këtyre linjave e konflikteve me njëri-tjetrin ka sjellë një situatë shumë komike në vepër”, tha aktori Gentjan Zenelaj.

I çmendur apo i çuditshëm, Don Kishoti mbetet humbësi fitimtar dhe ky zotëri i Spanjës qendrore, së bashku me gamën e personazheve të tij vjen premierë mbrëmjen e së premtes në Teatrin Kombëtar. Bie në sy pjesëmarrja e sopranos Arlinda Morava.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat