Në Teatrin Eksperimental vijnë në prag të festave dy shfaqje

Teatri

Në Teatrin Eksperimental vijnë në prag të festave dy shfaqje

Më: 25 nëntor 2016 Në ora: 19:03
Komedia ”Një Gur Gabim”

Në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli” do të jepen dy shfaqje, njëra i dedikohet shikuesit të vogël në prag të festave ”Gjetja e festës së humbur” dhe tjetra është një komedi ”Një Gur Gabim”.

”Gjetja e festës së humbur” me tekst dhe regji nga Ledian Gjeçi, bën fjalë për dy fëmijë që i mendojnë festat si qenie të gjalla të cilat vijnë afër nesh vetëm në data të caktuara dhe na japin lumturi. E meqë nuk i presin dot këto data, ata hedhin idenë për të shkuar te shtëpia e babagjyshit të Krishtlindjes pasi mendojnë se aty jetojnë festat, dhe bëjnë plan t’i marrin ato e t’i sjellin në shtëpinë e tyre, por nuk dinë rrugën për atje. Kapelja që ata kanë në dhomë  fillon flet dhe i tregon rrugën për të gjetur festat. Ata dalin nga shtëpia dhe ecin në pyll, aty ndeshen me situata të rrezikshme dhe argëtuese, ku secila nga ato u shërben për një mësim të mire, deri sa arrijnë te shtëpia e babagjyshit, aty nuk gjejnë festa, por gjejnë vendin e sigurt se ku janë festat…

Vepra ka gjithsej dhjetë personazhe ku pesë nga këta janë kukulla, ka larmishmëri karakteresh edhe situatash të cilat nuk bien asnjëherë në përsëritje, dhe të gjithë personazhet interpretohen vetëm nga katër aktorë, që realizojnë edhe impostime të ndryshme zërash. Në personazhet njerëz janë një familje me dy prindërit dhe dy fëmijët, djalë, vajzë, gjithashtu edhe babagjyshi i Krishtlindjes. Shfaqja do të jepet në datat nga 3-17 dhjetor ora 10:30 në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”.

“Një Gur Gabim” është komedia  bashkëproduksion i TKEK-s me teatrin “Praksi Efta” në Athinë. Një shfaqje bilinguale kur në të njëjtën kohë interpretohet në dy gjuhë shqip dhe greqisht nga katër aktorë, dy shqiptarë dhe dy grekë. Kjo shfaqje ka patur premierën në Athinë në datë 14 tetor dhe është luajtur 15 herë në Athinë në teatrin “Tehni Karolos Kun” dhe tre shfaqje në Patra. Eshtë pritur shumë mirë si nga publiku  dhe nga kritika.

Në këtë komedi do të luajnë aktorët si Luiza Xhuvani, Xheni Stavropulu, Eleni Ludjana – Thanasi, Peni Papajeorjiu.Vepra “Një Gur Gabim” shpërfaq marrëdhënien nënë e bijë, që me kalimin e kohës, madje që në kohët e lashta, në vende e popuj të ndryshëm, vazhdon të jetë e vështirë në të njëjtën mënyrë, shpesh e egër, por edhe njësoj shpenguese. Për këtë dhe është teatralisht interesante.

“Një Gur Gabim” do të luhet në skenën tonë në datat 3,4,8,9,10,11,15,16,17, 18 dhjetor, dhe në datën 5 dhjetor do të jetë në Sarandë, në  datë  6 dhjetor në Gjirokastër dhe në datën 7 dhjetor në Elbasan.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat