Personazh i kaosit moral

Teatri

Personazh i kaosit moral

Nga: Skënder Zogaj Më: 13 shkurt 2017 Në ora: 14:12
Monodrama “Loja pa fund”

Nga antika është thënë se barometri më i saktë i pasqyrimit të shkallës së zhvillimit të çdo populli e vendi është teatri, dhe, se kjo thënie është e saktë, e dëshmon Kosova, që po kalon një kohë të ligë,  në të cilën e dukshme është edhe anemia teatrore, reflektuese e sakte e gjendjen dhe nivelit zhvillimor të shoqërisë kosovare.  Shenjtëria e artit teatror padyshim, shumë e zjarrtë në mendjet dhe zemrat e krijuesve teatror, por, për fat të keq pasioni i tyre ende mbetet shumë larg publikut sepse, artdashësit që ia mësyjnë altarit, të skenës se rrëfimit brenda Tempullit të Talias, janë numerikisht tepër pak, aq sa nuk ka ndodhur as në rrethanat më të egra të kohës së Kosovës nën okupim. Kjo është e pajustifikueshme, për të gjithë, e veçmas për institucionet shtetërore, të cilat duhet ta kuptojnë se, arti teatror është i rëndësishëm sa edhe buka e përditshme. Këtë ndjenjë ma dha premiera e monodramës ““Loja pa fund” e autorit Besim Rexhaj, në interpretim të aktores Sheqerie Buqaj, sipas regjisë së Fadil Hysajt, që u shfaqur me sukses të plotë në skenën e Teatrin “Dodona” të Prishtinës.  

Duke i duartrokitur në përfundim shfaqjes, dëgjova afër meje t’i fliste shoku-shokut, të dytë intelektual të mirënjohur: “Më paska marr malli me pa shfaqje të mirë!” Kishin të drejtë, monodramën "Loja pa fund" na e dhuroi me shumë elegancë, aktorja profesioniste, Sheqerie Buqaj, përmes një interpretimi të shkëlqyeshëm skenik, me tone joshëse e ritme të mirëfillta autoriale që reflektonin art të pastër, pretendues për komunikim sa më të natyrshëm e njëkohësisht, edhe sa më mbresëlënës për publikun e zakonshëm artdashës, por edhe për pjesën elitare. Teksti, i Besim Rexhajt, sipas deklamimit dhe lojës skenike të Sheqerie Buqajt, ka thellësinë e një “tregimi të fortë” që vë në spikamë variantin specifik të jetës së një gruaje fatkeqe, të mirënjohur nga realiteti ynë jetësor, personazh i kaosit moral dhe rrethanave egoiste të një bashkësia të traumatizuar, nga familja e deri të njeriu më i skajshëm i rrethit shoqëror, që vetëvritet në egoizmin e paskrupullte, duke ia ngushtuar rrethin të bukurës dhe duke e ngulfatur të mirën!

Kjo është përmbajtja e monodramës së Rexhajt, që në një ambient shumë të mirë dhe funksional skenografik, me kostume adekuate, ndriçim dhe me zgjedhje të efektshme muzikore, i dha mundësi aktores Sheqerie Buqaj që të shprehte potencën e profesionale dhe finesën e veçantisë së saj aktoriale duke zbërthyer thellësinë e dramës shpirtërore të personazhit, gruas së hedhur me pahir anash shoqërisë, e cila e detyron të ngujohet brenda një kafazi vetmie, mbytës, në dyert e të cilit kafaz, herë pas here troket zëri i degjenerimit, që valon jashtë e që ka mallëngjim edhe për kthinë plotë mugëtirë. Aktorja Sheqerie Buqaj, me loje kreative, të angazhuar dhe ngacmuese, bartet te publiku, që është pjesë e bashkëngjitur e lojës, pra pjesë përbërëse e inskenimit sepse, edhe publiku është i vendosur në skenë, si në një seancë dëgjimore... Pra, është pjesë e atmosferës së shfaqjes, veshi dhe syri i saj, apo me saktë, publiku është dihatja e personazhit skenik, që aq shumë ka nevojë ta shpreh dhimbjen në një kësi mjedisi, rrethe rrotull me pasqyra të plasaritura, sikurse edhe zemra e saj. Ndërsa krejt afër saj, bota është aq shumë e tëhuajtur sa që, nuk do t'ia di se, një grua po çmendet nga çmendua e njerëzve aq të pamëshirshëm dhe, madje edhe brutal, sepse, e fshehin fytyrën e tyre pe fajtori.

Teksti është shumë kushtëzues për mënyrën e inskenimit, sepse, ka nevojë për zhvillim në dy plane njëkohësisht: ndërlidhjen kompakte të lojës me fjalën, pa lënë mundësi për improvizime variacionesh anësore, siç zakonisht ndodhin në çdo shfaqje teatrore. Këtu në mënyrë fine duhet të ndërlidhet fjale me lojën deri të gjesti me i imët dhe mimika, sepse në fakt ky inskenim është rezonancë e ndjenjave shpirtërore të gruas që fati e ka përbuzur, e ka hedhur anash, pa të drejtë. Këtë veçanti të tekstit, e transponon në skenë me ndjeshmëri të hollë regjisoriale Fadil Hysaj, duke kompozuar një shfaqje artistike të klasikes aristokratike, brenda shenjave dhe hirësisë shpirtërore që duhet të jenë qëllimi i përhershëm i të gjithë krijuesve teatror që kanë parasysh, formësimin sa më të mirë të traditës autoktone teatrore.

Publiku i premierës mbet i kënaqur me shfaqjen “Loja pa fund”, e cila e vlen të shikohet, sepse është realizim i mirëfilltë teatror dhe fragment interesant artistik që i dedikohet universales filozofike për jetësoren, e cila edhe kur ka të bëjë me individin, reflekton përmbajtje gjithë njerëzorë. Ky është mesazhi artistik i tekstit të Besim Rexhajt, i inskenimit të Fadil Hysajt dhe i aktrimit të Sheqerie Bucajt, ku duhet të theksojmë edhe punën jashtëzakonisht të mirë në skenografi e për ndriçimin nga mjeshtri Skënder Latifi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat