Nëntëfishohet numri i shikuesve në Teatrin Kombëtar

Teatri

Nëntëfishohet numri i shikuesve në Teatrin Kombëtar

Më: 4 mars 2018 Në ora: 10:42
Teatri Kombëtar i Kosovës

Përderisa viteve të kaluara, numri i shfaqjeve ishte në masë më të vogël në Teatrin Kombëtar të Kosovës, këto dy vitet e fundit është shënuar një përmbysje e shikueshmërisë së vogël.

Në vitin 2015 ishin shfaqur as më pak e as më shumë se 7 shfaqje premierë në Teatrin Kombëtar,  nga viti 2016, është bërë një ringjallje e Teatrit, duke u dhënë premiera të shumta dhe plus kësaj shikueshmëria është në një nivel shumë të mirë, krahas viteve paraprake.

Këtë e thotë edhe drejtori i Teatrit Kombëtar, Agim Sopi, të cilit thekson se nga 2016,  shikueshmëria është nëntëfishuar, duke kaluar shifrën prej 2 mijë e 900 shikues në 21 mijë shikues.

Sopi: Publiku i Prishtinës mund të krahasohet me atë të Parisit

“Publiku ynë ka një dimension global, më ne nuk jemi një publik zorrë qorrë e Evropës, një provincë, sepse është koha e komunikimive globale, është koha e internetit dhe njerëzit kanë informacione, shikuesi i Prishtinës ka pasë informacione sa ai i Parisit, vështirë gënjehet dhe mashtrohet, nuk mund të mbyllet në atë lëvozhgën e njëfarë lloj folklorizmit patriarkal dhe të ndjehet i vetëkënaqur brenda asaj lëvozhge por megjithatë kërkon atë që kërkon edhe publiku evropian, prandaj ne mendoj se kemi pasur një sukses, një mbështetje të jashtëzakonshme të publikut ... Ne e kemi trashëguar teatrin me 2 mijë e 900 shikues për një vit kalendarik, dhe sivjet kemi pas diku rreth 21 mijë shikues, po thuajse është nëntëfishuar numri i shikuesve brenda dy viteve, që është një punë shumë e madhe”, tha ai.

Ai po ashtu ka shtuar se tashmë së bashku me stafin e TKK-së, e kanë identifikuar atë së çka duhet t’i servohet publikut si vlerë, të cilën vlerë pohon se publiku e konsumon. Në këtë lloj studimi kundrejt publikut, Sopi ka futur edhe disa risi si gjuha teatrore, shprehjet moderne dhe tekstet origjinale, të cilat sipas Sopit janë efekti që ka ndikuar në rezultatin e dhënë.

Një nga aktorët kosovarë, Agron Shala, i cili së fundmi ka realizuar shfaqjen “ Njeriu që mungonte”, dhe që prej vitesh është pjesë e shfaqjeve në teatër, pohon për një rritje të shikueshmërisë, duke thënë se kohëve të fundit sallat po mbushen plot.

Shala: Sallat po mbushen plot, kjo nuk ka ndodhur më herët

“Me marrjen e trupës së re këtu në teatër, angazhimin e shumë aktorëve tjerë, shikueshmëria është në rritje, bile është shumë e madhe, pse e them këtë? Këtë e vërtetoj, njëkohësisht e kam pasur një shfaqje në skenën e vogël, “Shtëpia pa dritare”, ka ndodhur edhe në shfaqjet tjera në skenën e madhe për një natë. Unë jam dëshmitar i asaj që dy sallat kanë qenë plot, kjo nuk ka ndodhur më herët”, theksoi ai.

E sa i përket gjendjes në aktrim, ai thotë se ky vend është i ngulfatur, ka mungesë të perspektivës, kulturë të degraduar, përpos kulturës që po bën shpërthime në këtë drejtim duke iu ikur politikave.  

Shala: Ky vend është i ngulfatur

“Ky vend më është i ngulfatur, jemi të ngulfatur, nuk ka asnjë dilemë, secili prej nesh edhe e di këtë, edhe fëmijët e vegjël veçse e kanë kuptuar që këtu ka ngulfatje, mungesë të perspektivës, mungesë të respektit, mbytje e shpresës që është shumë e dhimbshme kjo. Nuk dua të them as nuk dua ta mendoj që mos ta studiojë atë që njëmend e ndjen brenda ... Por le ta dinë që një rrugë shumë të vështirë e kanë sidomos në Kosovë. Unë mendoj që është i degraduar, kultura në përgjithësi është e shkatërruar tek ne, është e degraduar, si në sektorin e filmit, si në përgjithësi, për shkak të politikave të këqija që kanë ndodhur ... Kultura ka bërë shpërthime në këtë drejtim, iu ka ikur këtyre politikave, iu ka dalur nga duart e politikave, menaxhmentit në përgjithësi edhe kanë bërë shpërthime në festivale të ndryshme e sidomos filmi, që kanë marrë pjesë edhe në shfaqje që kanë marrë çmime në festivale shumë serioze”, tha ai.

Edhe Ismet Azemi, po ashtu me profesion aktor, por njëkohësisht edhe kryetar  i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për KosovaPress, se teatri është institucioni më i lartë kulturor i çdo vendi, për të cilin duhet një kujdes i veçantë që të ngritet në nivelin më të lartë.

Sa i përket shikueshmërisë në teatër viteve të fundit, edhe Azemi nuk e ka kontestuar një realitet të tillë, që shikueshmëria është në rritje dhe komunikimi i publikut me skenën është tejet në nivel, së paku dy vitet e fundit.

Azemi: Populli ynë  ka nevojë për t’u ushqyer me art

“Numri i artdashësve, i njerëzve të cilët e ndjejnë si nevojë ushqimin e skenës, e artit, e të bukurës, e shoh që dita-ditës rritet, për arsye se kjo më bën të kuptojë se masa, populli i këtij vendi, njerëzit e këtij vendi sikur kanë nevojë edhe pse dihet fakti që ne kemi dalë prej rrethanave shumë të vështira më herët. Ky popull, këta njerëz sikur iu kanë kthyer prapë të vërtetës dhe duan ta kompletojnë qënien e tyre, ta baraspeshojnë botën shpirtërore me atë intelektuale dhe me botën materiale, prandaj unë shoh që këtu dita-ditës numri i shikueshmërisë vetëm rritet, nuk është vetëm numër, janë njerëz të cilët komunikojnë me skenën, me artistët, me veprat të cilat iu serviren për të komunikuar”, tha ai.

Teatri Kombëtar në Prishtinë, i themeluar prej vitit 1946, fillimisht në Prizren, ka arritur afro 73  vite në shërbim të publikut, duke shënuar kështu edhe një periudhë të gjatë kohore me kontribut mjaft të madh, i cili vitin 2018 pritet të shënojë përmasa të mëdha në ngritjen e nivelit në përgjithësi, duke e rritur numrin e shfaqjeve, aktorëve etj./

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat