Jeruzalem, qendra e re e teknologjisë së lartë synon të rrisë punësimin mes palestinezëve

Teknologji

Jeruzalem, qendra e re e teknologjisë së lartë synon të rrisë punësimin mes palestinezëve

Më: 22 gusht 2023 Në ora: 17:29
Foto ilustrim

Si pjesë e një plani pesë-vjeçar për të zhvilluar Jerusalemin Lindor, Izraeli ka hapur një qendër të teknologjisë së lartë që synon të rrisë punësimin mes palestinezëve. Ky është hapi i parë i një programi më të madh që synon ta tjetërsojë Jeruzalemin Lindor në një variant të Luginës së Silikonit në Kaliforni.

Themelues i kompanisë së programeve kompjuterike “Techlinic”, palestinezi Mahmoud Kweis, është ndër të parët e vendosur në qendrën e re të teknologjisë së lartë “EastTech” në Jeruzalemin Lindor, një përpjekje e Izraelit për të rritur punësimin mes palestinezëve.

Punonjësit e tij janë palestinezë të Jeruzalemit, të arsimuar në shkolla dhe kolegje palestineze. Ai thotë për Zërin e Amerikës se dhjetë punonjësit e tij përballen me sfida unike të integrimit në botën e përparuar të teknologjisë së lartë izraelite.

“Tregu ynë në Jeruzalemin Lindor është i kufizuar dhe kjo është një barrë unike për ta. Nëse duam të zgjerohemi në Jeruzalemin Perëndimor ose në Izrael, duhet të fitojmë aftësi të reja të sjelljes, si gjuhën dhe kulturën hebraike. Ne duhet t’i dimë të gjitha këto gjëra, përveç zotërimit të aftësive teknike në përputhje me tregun”.

Qendra EasTech u hap vetëm pak javë më parë me 20 palestinezë nga pesë kompani të teknologjisë së lartë. Ky projekt i financuar dhe drejtuar nga Bashkia e Jerusalemit dhe qeveria izraelite, synon të tërheqë rreth 150 palestinezë të diplomuar në fushën e teknologjisë së lartë.

EasTech gjithashtu organizon një seminar në gjuhën arabe të drejtuar nga organizata joqeveritare Moona, e cila ofron arsim në teknologji për të rinjtë e shtresave të varfra.

Zëri i Amerikës bisedoi me zonjën Einat Mesterman, drejtoreshë e programit për Jerusalemin Lindor.

“Kompanive që na bashkohen po u ofrojmë një paketë të plotë. Zyrat janë falas dhe nuk ka taksa. Por kushti është që të punësojnë banorë nga Jeruzalemi Lindor në fushën e teknologjisë së lartë”.

Më shumë se 350,000 palestinezë jetojnë në Jerusalemin Lindor, të aneksuar nga Izraeli në vitin 1967, një lëvizje që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Por palestinezët e Jeruzalemit Lindor kanë mbetur të bllokuar mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez të Bregut Perëndimor.

Si banor të Jeruzalemit, ata paguajnë taksa dhe gëzojnë përfitime sociale dhe shëndetësore nga Izraeli. Arsimimi i tyre bazohet tek programit shkollor palestinez, në shkolla që nuk e plotësojnë standardin izraelit, çka i përjashton ata nga universitetet izraelite ose vendet e punës me paga të larta.

Tre të katërtat e palestinezëve të Jeruzalemit Lindor jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe papunësia është afër 20 për qind.

Shumë palestinezë hezitojnë të bashkëpunojnë me Bashkinë e Jerusalemit, sepse kjo nënkupton pranimin e sovranitetit të Izraelit mbi të gjithë Jerusalemin.

Por disa zyrtarë izraelitë vënë në dukje se palestinezët e Jeruzalemit po mësojnë gjuhën hebraike dhe po ndjekin kolegje izraelite. Ata thonë se kjo është një shenjë se palestinezët gjithnjë e më shumë po shohin një të ardhme në Izrael.

“Në universitete dhe kolegje ka më shumë studentë nga Jeruzalemi Lindor se kurrë më parë. Është shënuar goxha integrim”, thotë Fleur Jassam Nahaoum, nënkryetare e Bashkisë së Jeruzalemit.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kohët e fundit njoftoi shkurtime drastike të programeve në dobi të qytetarëve arabë dhe palestinezëve të Jeruzalemit Lindor, me pretendimet se programet financonin aktivitete terroriste dhe kriminale.

Trysnia publike e detyroi atë që të tërhiqej nga shumica e shkurtimeve dhe qeveria miratoi së fundmi pothuajse 900 milionë dollarë fonde për një plan pesë-vjeçar për zhvillimin e Jerusalemit Lindor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat