Bashkimi Evropian heton platformën X për shkelje të mundshme të ligjit për rrjetet sociale

Teknologji

Bashkimi Evropian heton platformën X për shkelje të mundshme të ligjit për rrjetet sociale

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 20:21
Platforma X në ekranet kompjuterike

Platforma sociale X e pronarit Elon Musk u bë të hënën kompania e parë teknologjike që po përballet me hetim nga Bashkimi Evropian në bazë të rregullores së re të ashpër, të hartuar për të hequr përmbajtjen e dëmshme nga rrjetet sociale dhe për të mbrojtur njerëzit nga kjo lloj përmbajtjeje në internet.

“Sot po hapim hetim formal kundër platformës @X” në bazë të Ligjit për Shërbime Digjitale, deklaroi Komisionieri evropian Thierry Breton në një postim në platformën që në kaluarën njihej si Twitter.

BE-ja po shton trysninë ndaj platformës X pasi kërkoi nga kjo kompani në tetor informacion rreth mënyrës se si e menaxhon çështjen e gjuhës së urrejtjes, keqinformimit dhe përmbajtjes për terrorizëm të dhunshëm që lidhej me luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Ky rast përbën provën e parë për Ligjin e Shërbimeve Digjitale, pjesë e një pakoje ligjesh të reja që BE-ja hartoi për të frenuar fuqinë e kompanive teknologjike.

Komisioni Evropian “tani do të hetojë sistemet dhe politikat e platformës X për disa shkelje të mundshme,” deklaroi zëdhënësi Johannes Bahrke. “Nuk paragjykon rezultatin e hetimit.”

Platforma me seli në San Francisko thotë se “është e përkushtuar të respektojë Ligjin për Shërbime Digjitale dhe se po bashkëpunon me procesin rregullator. Është e rëndësishme që ky proces të mos preket nga ndikimi politik dhe të jetë në përputhje me ligjin.”

“X është i përqendruar në krijimin e një ambienti të sigurtë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë përdoruesit e platformës tonë krahas mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe do të vazhdojmë të punojmë pa ndërprerje për të përmbushur këtë synim,” sipas një deklarate të lëshuar nga kompania.

Pronari i X, zoti Musk e paraqet platformën si një vend ku liria e shprehjes është përparësi, por ndryshimet që pronari miliarder i Teslës ka bërë në platformë pasi e bleu atë vitin e kaluar – si për shembull tkurrjen e personelit që shqyrton përmbajtjen dhe rikthimin e llogarive të ndaluara të personaliteteve publike përçarëse – i kanë shkurajuar përdoruesit dhe agjentët e marketingut, të cilët janë larguar nga platforma për shkak të shqetësimeve se gjuha e urrejtjes mund të shfaqet krahas reklamave të tyre.

Hetimi i BE-së do të shqyrtojë nëse platforma X ka dështuar të ndërmarrë masat e duhura për të kufizuar përhapjen e përmbajtjes së jashtëligjshme – si gjuha e urrejtjes apo nxitja e terrorizmit – për 112 milionë përdoruesit e platformës në Evropë.

Këto çështje përfshijnë edhe efikasitetin e mjeteve të platformës që përdoruesit të kenë mundësinë që të raportojnë përmbajtjen e jashtëligjshme në postime dhe reklama në mënyrë që ato të hiqen shpejt nga platforma, si dhe nëse kompania po i përmbahet rregullave të saj për të kufizuar “përmbajtjen e ndjeshme.”

Hetimi gjithashtu do të shqyrtojë nëse masat e platformës X për të luftuar “manipulimin e informacionit”, në veçanti përmes mundësisë për korrigjim nga vetë lexuesit të njohur me emrin “Shënimet e Komunitetit”, ishin të dobishme brenda Bashkimit Evropian.

Një fushë tjetër e hetimit është çështja e transparencës. BE-ja thotë se ka “mangësi të pretenduara” në qasjen e hulumtuesve në të dhënat publike të platformës X dhe në bazën e të dhënave të saj, të dyja këto kushte që kërkohen nga rregullatorët.

Përfundimisht, hetimi do të shqyrtojë nëse përdoruesit po mashtrohen nga mënyra se si po paraqitet shërbimi verifikues me ikonën ngjyrë kaltër. Kjo shenjë në të kaluarën ishte tregues se një person apo institucion i vërtetë, qoftë një yll i artit, sportist apo gazetar, ishte prapa llogarisë, por aktualisht nënkupton thjesht që dikush paguan 8 dollarë në muaj për të promovuar postimet e tyre dhe për t’i vendosur ato në mënyrë më të dukshme se ata që nuk paguajnë këtë parapagim.

BE-ja e ka quajtur platformën X vendin që paraqet rrezikshmërinë më të madhe për lajmet e rreme dhe zyrtarët kanë kërkuar nga zoti Musk që t’i shtojë përpjekjet për ta pastruar.

Tani BE-ja po ndërmerr hapa zyrtarë përmes Ligjit të Shërbimeve Digjitale. Një mori kompanish të mëdha teknologjike po përballen me mbikëqyrje të shtuar pas hyrjes në fuqi të ligjit në fillim të këtij viti dhe kërcënojnë të përballen me dënime prej 6 për qind të të ardhurave të fitimin të tyre të përgjithshëm – pra me miliarda dollarë – apo edhe me ndalim brenda BE-së.

Dënimet, megjithatë, konsiderohen si masë e fundit dhe Brukseli paraprakisht do të përdorë “masa kalimtare” për t’i detyruar kompanitë që të përfillin ligjin.

Nuk ka një afat se kur merret një vendim lidhur me hetimin ndaj platformës X dhe Komisioni Evropian thotë se do të vazhdojë të mbledhë dëshmi, të intervistojë njerëz dhe të bëjë inspektime tjera./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat