Për miliona përdorues besnikë të Samsung, lajmi i tërheqjes nga tregu dhe ndalimit të prodhimit të Galaxy Note 7 erdhi si një bombë, por është dikush që fërkon duart nga kjo.
E ku tjetër më shumë se në zyrat e Apple mund të pritet me gëzim një lajm i tillë. Dy kompanitë janë rivale të përbetuara, sidomos në tregun e telefonave inteligjentë dhe avaria e Samsung u pasqyrua menjëherë edhe në bursë.
Aksionet e kompanisë koreano-jugore u hapën me humbje thuajse në të gjitha bursat, ndërsa e kundërta ndodhi për ato të kompanisë amerikane, që pësuan një rritje prej 1.9 përqind në kulmin e shkëmbimeve.
Ekspertët këtë shifër ja faturojnë drejtpërdrejtë lajmit se Samsung nuk do të prodhojë më Note 7, një lajm që mbërriti në periudhën më të mirë për kompaninë amerikane, aksionet e së cilës në tre muajt e fundit u rritën me 20 përqind, duke kapur shifrat e dhjetorit të kaluar.
Shifrat pozitive mund të përmirësohen akoma më shumë me publikimin e raportit të parë të kompanisë amerikane mbi ecurinë në treg të dy pajisjeve të saj të fundit, iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus.