Siguria, a po lëshon Apple?

Teknologji

Siguria, a po lëshon Apple?

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 19:20
Ilustrim

Apple është vënë në garë me kohën për të përditësuar sistemin e saj MacOS High Sierra pas bërjes publike se ky sistem mund të aksesohej pa qenë nevoja për të përdorur fjalëkalim.

Mjafton që në sektorin ku vendoset emri i përdoruesit (Username) të shkruhet “Root”, ndërsa sektori i fjalëkalimit (passëord) të lihet bosh dhe më pas të goditet butoni “Enter” disa herë për të fituar aksesin e pajisjes së Apple.

Gjiganti amerikan i teknologjisë e cilëson një rast të izoluar dhe deklaron se po punohet për ta korrigjuar këtë. Por, më shumë sesa financiar, dëmi i shkaktuar për Apple duket se është tek imazhi.

Kompania ruan ende një reputacion të lartë kur vjen puna tek çështjet e sigurisë dhe privatësisë për të gjitha pajisjet e saj, por ky nuk është rasti i parë që MacOS High Sierra shfaq probleme me sigurinë.

Muajin e kaluar, disa përdorues zbuluan se kur sistemi pyetej në lidhje me ndonjë të dhënë ndihmëse për të gjetur fjalëkalimin kur dikush e kishte harruar atë, sistemi e tregonte fjalëkalimin të plotë, pa treguar më parë asnjë të dhënë, si pyetjet e sigurisë apo të tjera hapa paraardhës.

Probleme jo të pakta janë raportuar edhe tek iPhone dhe iPads. Rasti i një përdoruesi që autokorrektimi i modifikonte gërmen “i” me “A”dhe një shenjën e pikepyetjes mbi tastjerën virtuale u shpërnda me shpejtësi dhe të tjera raste u raportuan.

Edhe njëherë, ashtu sikundër do të ndodhë edhe me sigurinë e fjalëkalimit, Apple ndërhyu me një përditësim që korrigjoi këtë avari. Por gjithë këto raste kanë bërë që shumë të pyesin veten nëse Apple po cenon tek standardet e saj të sigurisë?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat