Ndryshon Facebook. Më shumë lehtësira për të mbrojtur privatësinë

Teknologji

Ndryshon Facebook. Më shumë lehtësira për të mbrojtur privatësinë

Më: 29 mars 2018 Në ora: 15:46
Facebook

Në valën e përballjes me skandalin e përdorimit të parregullt të të dhënave të 50 milionë përdoruesve të tij nga kompania konsulente britanike “Cambridge Analytica”, Facebook-u ka vendosur të ripërtërijë kontrollet mbi privatësinë.

Gjigandi i medias sociale është gjendur nën një rrebesh kritikash edhe për grumbullimin e informacioneve nga përdoruesit e pajisjeve Android, si emra, numra telefonash, tabulate dhe mesazhe të dërguara. Tani, përmes një njoftimi, kompania e themeluar nga Mark Zuckerberg sqaroi se e ka kuptuar shumë qartë “nga një pjesë e 2.2 miliardë përdoruesve, se ndryshimi është i nevojshëm”.

Facebook pretendon se përmirësimet nuk do të ndikojnë tek politikat e privatësisë apo llojet e të dhënave që grumbullon nga përdoruesit, por shpreson që ndryshimet do t’i lejojnë përdoruesit “të navigojnë” më lehtë në mjediset komplekse të privatësisë dhe sigurisë, në llogarinë e tyre.

Kompania, e cila do të përballet me rregullore më të rrepta evropiane prej 25 majit, është përballur me kritika globale që kur u bë e ditur se “Cambridge Analytica” kishte mbledhur të dhëna në mënyrë të padrejtë, duke patur në shënjestër votuesit amerikanë e britanikë.

Informacionet e mbledhura nga firma britanike, kujton “Zëri i Amerikës” u përdorën nga zyrtarët e fushatës së zotit Trump për të ndikuar votuesit në garën presidenciale të vitit 2016.

Shefi ekzekutiv Zuckerberg ka rënë dakord që të dëshmojë në një seancë dëgjimore të Kongresit muajin e ardhshëm, për të shpjeguar se si “Cambridge Analytica” ka mbledhur të dhëna mbi dhjetëra milionë përdorues të Facebook-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat