Wozniacki eliminohet nga turneu i Majemit: Më kanë kërcënuar me jetë

Tenis

Wozniacki eliminohet nga turneu i Majemit: Më kanë kërcënuar me jetë

Më: 24 mars 2018 Në ora: 21:58
Caroline Wozniacki

Tenistja daneze Caroline Wozniacki, numri 2 në botë për femra, është eliminuar sot nga raundi i tretë i turneut Masters të Majemit, pasi u mund 2-1 me përmbysje nga Monica Puig e Portorikos (0-6, 6-4, 6-4). Një rezultat surprizë, pasi danezja pat fituar me lehtësi setin e parë, por më tej erdhi përmbysja e Puig, fituese e medaljes së artë në “Rio 2016”.

Por pas ndeshjes ka ardhur denoncimi shokues i Wozniacki, që tha se gjatë ndeshjes ka marrë fyerje dhe kërcënime nga ana e publikut. “Personat në tribunë kanë fyer familjen time dhe kanë kërcënuar me vdekje babanë tim. Më kanë thënë gjatë ndeshjes gjëra që nuk mund t’i përsëris tani”, gjë të cilën danezja e ka konfirmuar edhe përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Nipave 10-vjeçare të të fejuarit tim u është thënë që të mos flasin dhe brohorasin gjatë ndeshjes, të qëndrojnë ulur në vendet e tyre. Ndërkohë që, asnjë nga stafi dhe siguria e turneut nuk ka ndërhyrë. Nuk mund të anashkalosh një gjë të tillë, është e rëndë”, tha Wozniacki, që disa herë gjatë ndeshjes është ankuar te gjyqtari për zhurmat që vinin nga publiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat