Frenohet Nadal, e eliminon Thiem

Tenis

Frenohet Nadal, e eliminon Thiem

Më: 12 maj 2018 Në ora: 12:09
Nadal

Turneu Masters i Madridit dhuroi surprizën më të më madhe, eliminimin e Rafael Nadal në çerekfinale të tij.

Tenisti spanjoll që vendosi një rekord të ri me 50 setet të fituara radhazi në fushat me dhe u eliminua pas 21 fitoreve radhazi në këtë sipërfaqe nga Dominic Thiem, i njëjti lojtar që e mundi atë edhe përpara një viti në Turneun Masters të Romës.

Austriaku iu imponua 31 vjeçarit nga Mallorca duke i fituar të dy setet me rezultatin 7-5; 6-3 dhe në gjysmëfinale do të përballet me Kevin Anderson që mundi Dusan Lajoviç. Fitores së Thiem ndaj Nadal iu gëzua edhe Roger Federer, i cili rikthehet të jetë numri 1 i botës të paktën për 1 javë.

Nadal mund ta rimarrë kreun e klasifikimit ATP nëse fiton Mastersin e Romës për të 7 herë në karrierë, turne ku me shumë gjasa do të përballet sërish me Thiem në çerekfinale për të marrë revanshin.

Ndërkaq çifti tjetër gjysmëfinalist i turneut Masters të Madridit do të jetë Denis Shapovalov-Alexander Zverev. Tenisti kanadez mundi në çerekfinale surprizën Kyle Edmund 2-1 me sete 7-5;6-7;6-4. Ndërsa Zverev fitoi sfidën me John Isner me rezultatin 2-0. Zverev zhvilloi një lojë më të mirë se amerikani duke i fituar setet 6-4 dhe 7-5.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat