Zverev triumfon në Madrid, mposht austriakun Thiem

Tenis

Zverev triumfon në Madrid, mposht austriakun Thiem

Më: 14 maj 2018 Në ora: 09:46
Alexander Zverev

Alexander Zverev siguroi titullin e tretë Masters në karrierë, pasi mposhti në finalen e Madridit tenistin austriak Dominic Thiem. Numri 3 i botës dominoi takimin me 24-vjecarin nga Wiener Neustadt, duke zgjidhur gjithçka në vetëm dy sete. Numri 7 i botës kishte fituar 4 nga 5 përballjet ndërmjet tyre, megjithatë në finalen e turneut madrilen, Sasha kontrolli në mënyrë të shkëlqyer kundërshtarin e tij.

Të dy setet kishin ngjashmëri të përsosur ndërmjet tyre, pasi në të dy rastet tenisti gjerman i rrëmbeu shërbimet rivalit të tij në game-n hapës, për të administruar më pas në mënyrë të shkëlqyer avantazhin e krijuar. Alexander Zverev përfitoi në maksimum nga gabimet e tenistit austriak për të fituar gjithë takimin me rezultatin 6-4, 6-4, në vetëm 78′.

Duke lënë mënjanë takimin hapës në Bavari me bashkëkombësin e tij Yannick Hanfmann Zverev tashmë numëron 8 fitore radhazi pa humbur asnjë set, ecuri prej së cilës 21-vjeçari me origjinë ruse koleksionoi dy tituj radhazi në clay court, në Mynich dhe Madrid. Thiem që kërkonte trofeun e parë Masters në karrierë konsiderohej favorit, sidomos pasi eliminoi në çerekfinale në vetëm dy sete “Mbretin e fushave me dhe” Rafael Nadal, gjithsesi tenisti austriak nuk doli dot në lojën e tij dhe për rrjedhojë humbi finalen e dytë rresht në kryeqytetin spanjoll, pasi edhe 12 muaj më parë numri 7 i botës u thye nga Rafa 7-6,6-4.

Për Alexander Zverev kjo ishte finalja e tretë për vitin 2018, ndërkaq titulli në Madrid është i 7 ATP në 15 muajt e fundit për tenistin nga Hamburgu, që tashmë e ngushton në afërsisht 1.900 pikë diferencën me numrin 2 të botës Rafael Nadal. Zverev kishte fituar më parë dy turnetë Masters në Romë dhe Montreal, ku tenisti gjerman mundi respektivisht kundërshtarë të tillë si Novak Djokovic dhe Roger Federer, kështu që Sasha do të ketë plot 1.000 pikë për të mbrojtur në Mastersin e radhës, që starton pikërisht ditën e hënë në kryeqytetin italian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat