Nis me surpriza “Roland Garros”, eliminohet Ostapenko

Tenis

Nis me surpriza “Roland Garros”, eliminohet Ostapenko

Më: 28 maj 2018 Në ora: 11:22
Jelena Ostapenko

Edicioni i 88 i turneut të dytë Grand Slam të vitit nisi me një surprizë të madhe; eliminimin që në raundin e parë të tij të kampiones në fuqi, Jelena Ostapenko. Ajo që e eliminoi Ostapenkon ishte Keteryna Kozlova, numri 67 i renditjes botërore.

Tenistes ukrainase i mjaftuan 1 orë e 34 minuta lojë për të mposhtur Ostapenkon me rezultatin 2-0 me sete 7-5;6-3. Kjo është hera e dytë në epokën e turneve Open që Roalnd Garros humbet kampionen në fuqi që në raundin e parë. Më parë kjo ka ndodhur në 2005 kur rusja Myskina u mund në raundin e parë nga spanjollja Maria Sanchez Lorenzo. Tjetër humbje e Roland Garros është edhe Venus Williams që u eliminua nga kinezja Wang 2-0.

Emri i parë i rëndësishëm në turneun e femrave në Roland Garros që u kualifikua për në raundin e dytë ishte Elina Svitolina, fituese edhe Turneut të Romës. Ukrainasja fitoi në raundin e parë ndaj Ajla Tomljanovic me rezultatin 2-0 me sete 7-5;6-3 në 1 orë e 29 minuta lojë dhe si kundërshtare të radhës do të ketë sllovaken Viktoria Kuzmova që eliminoi italianen Francesca Schiavone

Në kampin e meshkujve, Grigor Dimitrov nuk e pati aspak të vështirë ndeshjen e tij të raundit të parë ndaj Mohamed Safëat numri 182 i renditjes ATP. Bullgari ishte dominues në këtë përballje të cilën e mbylli 3-0 me sete 6-4;6-4; 7-6. Në raundin e dytë bullgari Dimitrov do të përballet me amerikanin Jared Donaldson që mundi Nicolas Jarry 3-2.

U kualifikua për në raundin e dytë edhe Kei Nishikori që nuk luante një turne Grand Slami që pas US Open të 2017. Japonezi, finalist i turneut Masters të Monte Carlos mundi francezin Maxime Janvier 3-0 me sete 7-6;6-4; 6-3 në 2 orë e 19 minuta lojë. Fitore shënoi edhe Alexandër Zverev që mundi me lehtësi lituanezin Ricardas Berankis në 3 sete 6-1;6-1;6-2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat