Shkolla “Liria” përplas Komunën e Tetovës dhe MASH-in

Tetova

Shkolla “Liria” përplas Komunën e Tetovës dhe MASH-in

Më: 10 nëntor 2016 Në ora: 20:52
Shkolla “Liria”

Përplasje mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Tetovës për mos rregullimin e pullazit të Shkollës “Liria”, për çka drejtoria vendosi për ndërprerjen e mësimit për disa paralele. I pari i arsimit Pishtar Lutfiu tha se dikasteri që ai drejton pret kërkesën nga Komuna e Tetovës.

“Në komunikim e sipër me organet e komunës u kemi thënë që të parashtrojnë sa më shpejt një kërkesë që të mund të ndërhyjmë sa më parë meqë ligji e mundëson raste urgjente dhe të shohim që të intervenojmë që shkolla të fillon sa më parë rikonstruimi i asaj pjese e cila është dëmtuar nga reshjet e shiut”, deklaroi Ministri i arsimit Pishtar Lutfiu.

Por nga sektori për Arsim i Komunës së Tetovës, thonë se kanë bërë një sërë kërkesash dhe Ministria tanimë i ka të njëjtët.

“Kërkesa është bë, edhe dy vitet e kaluara është edhe tani. Ashtu që kërkesën ne e kemi dërguar në Ministri të Arsimit dhe në kuadër të kompetencave që ne i kemi dhe jemi në pritje që të fillohet sa më shpejtë rinovimi i këtij objekti”, tha Ahmed Qazimi, Sektori për arsim i komunës së Tetovës.

Përderisa Institucionet përplasen mes vete, nxënësit tashmë dy ditë nuk ndjekin procesin mësimor, ndërsa prindërit insistojnë në zgjidhjen e shpejtë të problemit. Ata sot takuan drejtuesit e shkollës dhe përfaqësues të Komunës.

“Po kërkesa jonë si prind ishte të bëhet një zgjidhje afatshkrute me cilësi, dhe një zgjidhje afatgjate që do e zgjedh këtë problem që zgjat me dekada. Kjo ndërtesë nuk është adekuate për shërbimin që ofron dhe zgjedhja duhet të gjendet. Nëse nuk gjen zgjidhje ministria e arsimit dhe komuna e Tetovës ne si prindër do bojkotojmë mësimin”, tha një prind.

“Ne si prind kërkojmë një zgjidhje sa më të shpejtë të problemin, të bëhet transferi i fëmijëve në një objekt më të sigurt. Ne do bojkotojmë fëmijët nuk do i lëshojmë në shkollë. Jeta e fëmijëve tanë është në rrezik në këtë objekt”, u shpreh një tjetër prind.

Vendimi për ndërprerjen e mësimit në katin e dytë të Shkollës “Liria” erdhi pasi reshjet e fundit të shiut rënduan edhe më tepër situatën me kulmin e Shkollës. Për këtë gjendje muaj më parë alarmoi ALSAT M, megjithatë deri tani nuk është ndërmarrë asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat