Në Tetovë është bërë varrimi i pesë anëtarëve të familjes Zylbehari, të cilët të enjten në mënyrë tragjike humbën jetën pas shpërthimit të zjarrit në shtëpinë e tyre gjatë orës 3 e 30 minuta të mëngjesit. Katër fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç dhe e ëma e tyre Fatime Zylbehari 39 vjeçe, humbën jetën nga zjarri që përfshiu shtëpinë e tyre në rrugën Goce Dellçev në Tetovë. Shkaktari i zjarrit zyrtarisht ende nuk dihet, por dyshohet se ai është shkaktuar nga koftori.
Flakët fillimisht kanë përfshirë katin e dytë ku flinin pesë viktimat pastaj është përhapur edhe në katin e poshtëm ky flinin dy pleqtë e shtëpisë dhe më pas edhe në shtëpinë fqinje. Nga kati i parë kanë arritur të shpëtojnë gjyshja dhe gjyshi i viktimave, ndërsa në shtëpinë fqinje nuk banonte njeri.
Rasti tek zjarrfikësit është lajmëruar në orën 4 e 15 minuta të cilët kanë intervenuar me 21 zjarrfikës dhe nëntë makina. Sipas tyre, intervenimi ka qenë i shpejtë por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për 4 fëmijët e mitur dhe nënën e tyre.
Këshilli i Komunës së Tetovës me vendim unanim dje shpalli tre ditë zie për rastin e tragjedisë së djeshme dhe ka vendosur që nga mjetet rezervë të Komunës, familjes Zylbehari t’i ndajë ndihmë financiare me vlerë prej dy milionë denarësh.