Fshati Shemshovë i Tetovës, pa ujë të pijshëm

Tetova

Fshati Shemshovë i Tetovës, pa ujë të pijshëm

Më: 25 qershor 2018 Në ora: 19:15
Ilustrim

Edhe përkundër instalimit të sistemit të ri të ujësjellësit, banorët e fshatit Shemshovë të komunës së Jegunocit, edhe më tej vazhdojnë të mos kenë ujë për pije, ndërkohë që komuna, vazhdon për çdo muaj të faturoj pagesën e ujit.

“Katër vite kam qenë vet këshilltar në komunë dhe e kam lyp ujin se Shemshova s`ka, arsyetimi ka qenë se e vjedhin ujin. Haj verës e vjedhin po edhe dimrit e kam bë të njëjtën pyetje, tani a ujisim? Jo tai e lënë lëshuar mos ngri uji, po sa lëshohet çezma për mos me ngri? Problemi këtu tek ne është te niveli mbidetar. Atje ku është vëndu rezervuari duhet të ketë pompa. Shtypje nuk ka aspak”.

“Nuk ka ujë, shtypje nuk ka prej atje ku e marrim ujin. Ujë në Jegunoc marrim”.

“Uji s’është i pastër për pije shkojmë në Përshevcë mbushim tek fushat ku rrjedh”.

Kreu i Komunës së Jegunocit Darko Bllazhevski hedh dyshime për keqpërdorimin e mundshëm të rreth 12 mijë litra kub ujë. Ai tha se mund të ju sigurojë ujë banorëve por fillimisht paralajmëron inspektim të përdorimit të ujit në këtë fshat.

"Kam projekt që prej nesër t’u lëshoj edhe pesë litra ujë në sekondë shtesë, por pasi të kontrollojmë nëse ka kyçe të zeza apo dikush e keqpërdor ujin" – tha Darko Bllazhevski, Kryetar i komunës së Jegunocit.

Gazetari: A mendoni se shkelni ligjin kur thoni se që nesër mund t`iu lëshoni ujë por nuk e bëni të njëjtën ndërkohë që ata kanë mungesë të ujit?

"Nuk mendoj se bëj shkelje ligjore sepse ne jemi shërbim i qytetarëve por si bashkësi lokale edhe qytetarët duhet të jenë servis i komunës" – u përgjigj Darko Bllazhevski, Kryetar i komunës së Jegunocit.

Përndryshe, nëse në afat të shkurtër kohor ky problem nuk zgjidhet, banorët paralajmërojnë protesta dhe bllokime rrugësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat