Një i ri është autor i disa vjedhjeve të banesave në kryeqytet. Për të relizuar vjedhjet ai ndihmohej edhe nga persona të tjerë, ndërsa në këtë rast, ai duket teksa zbret nga tarraca e një pallati në zonën '21 Dhjetorit' për të kryer vjedhjen e radhës.
Ndonëse në juridiksionin e komisariatit nr.2 të Tiranës, nga 55 vjedhje banesash për këtë vit janë zbuluar 45 raste apo e thenë ndryshe 80 përqind, ky problem vijon të mbetet një fenomen shqetësues.
“Konstatojmë se janë kontigjent përsëritës dhe shëtitës. Ky kontigjent ka tendenca në vjedhjet e banesave. Objekt i vjedhjeve janë pallatet e reja shumëkatëshe”, thotë për Top Channel Jorida Babameto, specialiste për hetimin e krimeve në Komisariatin nr.2.
Kamuflimet e hajdutëve janë nga më të ndryshmet, ku shtiren edhe si shpërndarës fletushkash reklamimi, për të parë nëse në banesë ka njeri.
“Konstatojmë se vjedhjet kryhen në ato banesa ku bravat e dyerve nuk janë të sigurta duke ja bërë më të lehtë keqberësve hapjen e tyre me ca karta të thjeshta”, thotë Babameto.
Zonat me të nxehta sa i përket vjedhjeve të banesave konsiderohen Tirana e Re, 21 Dhjetori , ish-Parku dhe ish-Blloku, kjo për shkak të lëvizjeve të qytetarëve dhe grumbullimit të vazhdueshëm gjatë fundjavave dhe në ditë festash.
Në disa raste janë konstatuar edhe përdorimi i çelsave të quajtur “kopil”. Por krahas vjedhjes së banesave problem mbeten edhe vjedhjet e tjera, si vjedhja me thyerje e automjeteve.
Në Komisariatin nr.2, ndër më kryesorët në kryeqytet për shkak të territorit që mbulon, për këtë vit janë evidentuar 196 vepra penale të vjedhjes nga të cilat janë zbuluar 136 raste.