Bashkia e Tiranës prezanton projektbuxhetin e vitit 2017 në Njësinë Administrative Nr. 7

Tirana

Bashkia e Tiranës prezanton projektbuxhetin e vitit 2017 në Njësinë Administrative Nr. 7

Më: 19 nëntor 2016 Në ora: 07:25
Erion Veliaj

Njësia Administrative Nr. 7 ka qenë ndalesa e radhës e turit të prezantimit dhe konsultimit me qytetarët e projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2017.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa vuri në dukje se ky buxhet vjen me rritje krahasuar edhe me buxhetin e vitit që po lëmë pas, theksoi se ai nuk shoqërohet me asnjë rritje të taksave dhe tarifave. Duke u ndalur te viti buxhetor 2016, Veliaj tha se falë mbledhjes më të mirë të taksave dhe tarifave, por edhe duke zgjeruar bazën e atyre që paguajnë, u bë e mundur realizimi i pritshmërive në mbledhjen e të ardhurave brenda 9 mujorit të parë të vitit.

“Ky është vit historik për Bashkinë e Tiranës, ku shumën e të ardhurave që kishim nevojë e plotësuam që në 9 muajt e parë të këtij viti, do të thotë që sot nuk janë rritur barrat, por është hequr muri që ca ishin të nënës e ca ishin të njerkës. Të gjithë marrin trajtim njësoj dhe arka e Bashkisë mbushet pa i rritur taksat”, tha kryebashkiaku Veliaj. Një tjetër arritje për vitin që po mbyllet është edhe fakti që krahas rritjes së investimeve publike, u bë edhe shlyerja e borxhit të madh që bashkia gjeti të trashëguar nga administrata e mëparshme në masën 60%.

“Do të thotë se të gjitha këto para janë kthyer në komunitet; larja e borxhit e bën bashkinë më të lehtë nga barra e kredive. Do të thotë se mund të marrim kredi edhe për punë të tjera. Që nga sot e kemi hequr Bashkinë e Tiranës nga lista e zezë dhe di t’ju them se si çdo familje korrekte që nuk do ta zërë muaji tjetër pa qenë në rregull me shtetin, edhe në familjen që drejtoj në administratën e Bashkisë së Tiranës, jemi kujdesur të mos na gjejë asnjë muaj me borxhe ose të mos të themi tjetër gjë për qytetarët e pastaj të kemi tjetër sjellje në Bashkinë e Tiranës”, tha Veliaj. Ndërkohë, ai theksoi se buxheti i vitit të ardhshëm do të vazhdojë të mbështesë financimin e një sërë projektesh madhore që janë në zbatim e sipër, me qëllim që një pjesë e mirë e tyre të përfundojnë brenda 2017, siç është projekti i Pazarit të ri, Sheshi “Skëndërbej”, Bulevardi i Ri, etj.

Duke bërë një bilanc për njësinë 7, ai theksoi se investimet për vitin 2016 u rritën me gati 9 herë në raport me atë që kishte parashikuar Buxheti. “Në njësinë 7 kemi premtuar investime në vlerën e 55 milionë lekë të reja. Çfarë është fakti? Investimet në njësinë 7 që kanë përfunduar ose janë punë në proces janë sot në vlerën 427 milionë lekë të reja, pra rreth 8 herë ajo që premtuam. Besoj se është një lajm i mirë që përtej asaj që kemi premtuar fillimisht, gjatë gjithë vitit është bërë një përpjekje për të bërë sa më shumë investime, qoftë edhe duke ftuar privatët për të bërë disa nga adoptimet e kopshteve e çerdheve që kemi pasur në këtë njësi”, shtoi Veliaj. Ai bëri të ditur se një pjesë e mirë e investimeve janë kryer në infrastrukturë rrugore dhe social-arsimore.

“Përveç investimeve në rrugë të veçanta, në njësinë 7 kemi pasur 9.352 m2 rrugë të asfaltuara, 2767 m2 trotuare të reja dhe 3068 m2 trotuare të mirëmbajtura. Kemi disa investime që kanë të bëjnë infrastrukturën dhe shërbimet publike, sidomos sa i përket blloqeve të banimit. Kemi ndërhyrë në 9 shkolla, 5 kopshte dhe 5 çerdhe, kryesisht për mirëmbajtje dhe infrastrukturë. Ndërkohë, do të përfundojmë përpara Vitit të Ri dy kënde lodrash” deklaroi Veliaj. Ai vlerësoi faktin se ky buxheti shoqërohet me një rritje të ndjeshme të investimeve publike. Sa i përket projekteve që parashikohen të financohen për Njësinë 7, Veliaj informoi banorët se vitin e ardhshëm ato do të prekin lagjen në mënyrë kapilare.

Kryebashkiaku deklaroi se për vitin e ardhshëm janë parashikuar të kryhen 500 milionë lekë investime, pa llogaritur zgjerimin dhe sistemimin e shtratit të Lanës, nga pallati me shigjeta deri tek ura e Unazës së madhe/Kashar, ndërsa po rivlerësohen edhe projektet për rikualifikimin e zonës ndërmjet Lumit Lana - Rrugës së Kavajës - Fushës së Aviacionit. Në të njëjtën kohë, në vëmendje të investimeve të Bashkisë së Tiranës do të jenë dhe rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare P. Budi, ndërtimi i palestrës, rehabilitimi i pjesshëm;  instalimi i sistemit të ngrohjes në Shkollën 9-vjeçare “Dh. Leka” dhe ndërtimi i Palestrës. Për t’i dhënë zgjidhje mësimit me dy turne, për shkak të numrit të madh të nxënësve, është parashikuar edhe ndërtimi i një shkolle të mesme të re në këtë zonë.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në njësinë nr. 7, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu solidarizimin me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, pas incidentit të ndodhur ditën e djeshme. Veliaj vlerësoi kontributin që ka dhënë ministrja Nikolla për reformën në sistemin e arsimit. “Nuk mund të mos përkulem me respekt për rolin që Lindita Nikolla ka pasur dhe ka për transformimin e arsimit. Dua t'u kujtoj ish-ministrave te Arsimit që mendojnë se votat vijnë nga histeria e jo nga puna e përditshme, për punën që njerëz si Lindita dhe shumë të tjerë bëjnë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u kujtoi të gjithë atyre që shpresat politike i kanë te rikthimi i epokës së gurit, se diskutimet në një botë të civilizuar bëhen si njerëz të civilizuar. “Besoj se për të gjithë ata që shpresat e tyre politike i kanë tek rikthimi i epokës së gurit, ju kujtojmë që nuk mbaroi ajo epokë se mbaruan gurët, por mbaruan sepse kombet u civilizuan, dhe në një qytet të civilizuar diskutimet i bëjmë si njerëz të civilizuar”, tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat