Si do ndahen 1 mijë kredi të buta në Tiranë, dokumentet që duhet të dorëzoni për të përfituar

Tirana

Si do ndahen 1 mijë kredi të buta në Tiranë, dokumentet që duhet të dorëzoni për të përfituar

Më: 27 dhjetor 2016 Në ora: 08:05
Ilustrim

Në datë 29 dhjetor, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të zhvillojë mbledhjen e fundit për këtë vit, ku pritet të diskutohen disa projektvendime me shumë rëndësi, siç është buxheti afatmesëm 2017- 2019, si dhe plani urbanistik i Tiranës.

Sipas draftit buxhetor të Bashkisë së Tiranës, buxheti i vitit 2017 do të jetë buxheti më i madh i Bashkisë së Tiranës, pasi edhe në dy vitet në vazhdim që do të drejtohen nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Buxheti parashikohet në rënie për shkak se nuk parashikohen të ketë rritje të taksave dhe se për vitin 2017 janë dhe 650 milionë lekë të mbartura nga ky vit që po mbyllet. Në buxhetin e vitit të ri, bashkia ka parashikuar të mbulojë interesat e kredisë për 1 mijë familje të pastreha, po ashtu përparësi do t’i japë edhe investimit në sistemin arsimor parauniversitar.

KREDITË E BUTA

Për të përmirësuar dhe rritur cilësinë e kushteve të jetesës për familjet në nevojë për strehim, të cilat nuk janë në gjendje ekonomike dhe sociale të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave, ose atë të kredive hipotekore, Bashkia e Tiranës synon të rifillojë programin e banesave me kosto të ulët, zbatuar nga vitit 2009-2013 përmes një marrëveshjeje të nënshkruar nga disa aktorë si (Ministria e Financave, Banka Kombëtare Tregtare, Bashkia e Tiranës etj.), bazuar në fonde buxhetore të alokuara në nivel qendror nga ministria përgjegjëse e zhvillimit urban.

Duke qenë se aplikimet për këtë program kanë vazhduar, Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër të vazhdojë atë, duke u bazuar në burimet e veta financiare. Në buxhetin e vitit 2017 është parashikuar fondi prej 95 milionë lekësh, me të cilin do të subvencionohen interesat për rreth 1000 kredi të buta, që bashkia do të mbështesë gjatë këtij viti. Qytetarët aplikimin për kredi të butë e bëjnë pranë njësisë administrative ku janë banorë. Më tej, dokumentet e familjeve verifikohen nga specialistët e Drejtorisë së Strehimit. Dhe ata që plotësojnë kriteret, dërgohen për miratim në Këshill Bashkiak. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit janë dokumentet që duhet të dorëzojnë qytetarët. Sipas të dhënave të bashkisë, në këto dy muajit e fundit aplikimi është rritur ndjeshëm, duke shkuar në mbi 1500 aplikime në total.

ARSIMI PARAUNIVERSITAR

Investimet në arsimin parauniversitar do të zënë 19% të buxhetit të investimeve në Bashkinë e Tiranës për periudhën 2017-2019. Duke qenë se bashkia ka parashikuar një partneritet publik-privat për ndërtimin e 17 shkollave, këto nuk janë parashikuar në këtë program. Përmes partneritetit publik-privat, shkollat e reja do të ndërtohen me financimin e koncesionarit dhe bashkia do t’i paguajë këste vjetore për një periudhë 7- vjeçare me anë të të ardhurave të mbledhura nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore.

Sipas bashkisë, pritet të ndërtohen 10 shkolla 9- vjeçare dhe 7 shkolla të mesme. Në vitin buxhetor që do nisë, bashkia do t’i japë vëmendje ngrohjes në shkolla. Kësisoj, është parashikuar rehabilitimi i infrastrukturës në 208 shkolla 9- vjeçare e të mesme dhe 69 kopshte në të 24 njësitë bashkiake të Tiranës. Gjatë vitit 2017, sipas buxhetit të bashkisë synohet që të rritet kapaciteti i kopshteve dhe çerdheve me të paktën 10% si dhe të përmirësohen mjediset, duke vendosur kënde lojërash në oborret e tyre. Përparësi do t’i jepet edhe trajtimit të stafit, në mënyrë që fëmijët të përfitojnë një shërbim sa më të përshtatshëm.

DOKUMENTACIONI QË DUHET PËR TË APLIKUAR PËR KREDI TË BUTË

• Certifikata e lindjes së aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.• Vërtetim vendbanimin në bashki.• Vërtetimi i të ardhurave neto dhe bruto, (vërtetim punësimi), shoqëruar me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

• Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.• Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.• Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja.

• Dokumentin nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes.• Dokumentet shtesë që kërkohen për familjet që kanë persona me aftësi të kufizuar në familje, gratë kryefamiljare, gratë e dhunuara etj.• Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë të përshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.

• Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.• Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.• Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat nën fuqi të strehimit.

• Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.• Vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.• Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.• Vërtetim nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.

• Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit e lëshuar nga shërbimet teknike të bashkisë.• Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.• Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës etj.

• Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje.• Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin).• Vërtetim i marrë nga Qendra Kombëtare e Shërbimit të Përkujdesit Shoqëror për viktimat e dhunës në familje, e ngritur nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.• Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat