Veliaj: 10 km korsi të dedikuara për biçikletat në Tiranë

Tirana

Veliaj: 10 km korsi të dedikuara për biçikletat në Tiranë

Më: 14 janar 2017 Në ora: 12:42
Pamje nga takimi

Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e 10 kilometrave korsi të dedikuara për lëvizjen e biçikletave.

Ky synim u bë publik nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi të zhvilluar me Ambasadoren e Hollandes, Dewi De Weerd, profesorë të ardhur nga Hollanda dhe Unversiteti i Tiranës, ku u prezantua edhe një studim i posaçëm mbi mundësitë e lëvizjes me biçikleta në Tiranë.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se një vëmendje e veçantë i është kushtuar promovimit të lëvizjes me biçikleta, jo vetëm si një mënyrë për të reduktuar trafikun në rrugët e Tiranës, por edhe si një lëvizje që nxit jetën e shëndetshme. Ai theksoi se për herë të parë është vendosur një fond i posaçëm për këtë qëllim edhe në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës dhe se rrugët e reja po ndërtohen duke pasur edhe një korsi të dedikuar për biçikletat. 

“Kemi filluar me disa rrugë, si rrugët kryesore “Dritan Hoxha”, rruga “Gjergj Filipi” te Pallati i Kongreseve, rruga e “Kosovarëve”, pra të gjithë rrugët e reja po pajisen me një korsi të dedikuar biçikletash, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të kemi një rrjet, ndaj në buxhetin e këtij viti, kemi projektuar 10 kilometra korsi biçikletash, si një buxhet i veçantë në Bashkinë e Tiranës, si një buxhet që për mendimi tim duhet të vazhdojë të jetë çdo vit, pavarësisht se kush është kryetar bashkie, për të treguar se sa prioritet është kjo për qytetin”, bëri të ditur Veliaj. Ai theksoi se shumë shpejt do të fillojë përcaktimi i korsive për biçikletat në disa nga rrugët kryesore ekzistuese të kryeqytetit. 

“Do të fillojmë me aksin bulevardi “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu me rrugën e re të Kombinatit. Duke pasur një rrjet prej 10 kilometrash, besoj se mund të flasim seriozisht për kulturën e rikthyer të biçikletës në Tiranë”, shtoi Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se ndërtimi i korsive të posaçme të dedikuara për biçikletat është një investim afatgjatë dhe që do t'i shërbejë qytetit dhe qytetarëve në vitet që vijnë duke bërë një jetë më të shëndetshme.

“Unë e di që njerëzit kërkojnë të kenë prioritet çështje që kanë më pranë zemrës; ka njerëz që thonë, se na duhet më shumë gjelbërim, jo korsi biçikletash, që na duhet më shumë ushqim dhe strehim për ata në situatë rruge, se na duhet më shumë zhbllokim rrugësh në situata ngricash, por unë besoj se një qytet i mirë është si një familje e mirë dhe një familje e mirë i bën të gjitha, pra mundohet të kontribuojë edhe në disa gjëra që janë, le të themi të ditës, por edhe të investojë në disa gjëra që janë afatgjatë dhe për ne ky është një investim afatgjatë”, tha ai.

Veliaj u shpreh se falë politikave që ka ndjekur bashkia duke përcaktuar ditë pa makina si dhe duke shtuar korsitë e dedikuara, sot është trefishuar numri i atyre që përdorin biçikletën në Tiranë. Gjithsesi, ai theksoi se mbetet ende shumë punë për t'u bërë që përdorimi i biçikletave të mos mbetet një fenomen i izoluar.

Ambasadorja holandeze, Dewi De Weerd siguroi mbështetje për çdo projekt që Bashkia e Tiranës do të kërkojë të zbatojë për ndërtimin e korsive dhe stacioneve të qendrimit të biçikletave. “Të rinjtë janë shumë pozitivë përsa i përket ecjes me biçikletë (çiklizmit) dhe ju do të keni një mbështetje të madhe, nëse bëni zona për biçikletat dhe jo vendparkime makinash”, tha ambasadorja Dewi De Weerd.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat