“Zot i hapësirës për fëmijët dhe të moshuarit është Bashkia e Tiranës...jo privati!”

Tirana

“Zot i hapësirës për fëmijët dhe të moshuarit është Bashkia e Tiranës...jo privati!”

Më: 23 mars 2017 Në ora: 12:20
Kryetari i Tiranes, Erion Veliaj, duke vezhguar punimet

Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh rikonstruksionin e sheshit sportiv dhe këndit të lojërave në Njësinë 7, Në parkun e ish-Fushës së Aviacionit me qëllim rikthimin e kësaj hapësire të degraduar prej disa vitesh për qytetarët.

“Vjet, në 1 qershor, premtuam se përveç këndit të lodrave te Liqeni Artificial, do kishim nga një kënd të tillë në të gjitha njësitë e Tiranës urbane. Ende pa u mbushur viti, e kemi tejkaluar premtimin. Do të thotë që, kur bashkia lejohet të punojë, jo vetëm mbaron këndet e mëdha të lodrave, si ai tek parku i Liqenit apo në Yzberisht, por shkon në çdo lagje. E dimë se jo të gjitha banorët e kanë mundësinë t’i çojnë fëmijët përditë te Liqeni, por tani fëmijët e tyre e kanë më kollaj të luajnë brenda territorit të lagjes së tyre, në komunitetin e tyre, pranë pallatit”, tha kryebashkiaku Veliaj gjatë inspektimit të punimeve.

Ai theksoi se edhe në këtë rast, Bashkia e Tiranës është e vendosur të mbrojë interesin e qytetarëve dhe t’u ofrojë atyre mundësi argëtimi dhe rekreacioni, sidomos sa i takon më të vegjëlve të qytetit dhe të moshuarve. “Nëse kafenetë kanë zot dhe hapësira për të moshuarit dhe fëmijët është trajtuar si hapësirë pa zot, unë jam këtu për të thënë që po, edhe kjo hapësirë ka një zot dhe zoti i hapësirës për fëmijët dhe të moshuarit është Bashkia e Tiranës. Ndaj sot, po i dalim zot hapësirës publike ashtu si privati i ka dalë zot hapësirës së tij. Unë besoj se ky qytet meriton të sfidohet me aktivitet sportiv dhe fizik për fëmijët, me një jetë e ushqim të shëndetshëm”, shtoi Veliaj.

Jetëzimi i ish-Fushës së Aviacionit përfshin ndërtimin e një këndi sportiv (fushë basketbolli), këndit të lojërave dhe këndit të forcës. Përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur (stola, hije etj).

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat